27-11-2024

Kushtet e reja për t’u pranuar në Policinë e Shtetit

Kush ka tatuazh në pjesët e dukshme të trupit nuk do të pranohet kurrë për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. Kështu parashikojnë ndryshimet në rregulloren për policinë, të cilat kanë kanë shtuar tre kushte të tjera skualfikuese për aplikantët për t’u bërë pjesë të policisë. Kushtet e reja përjashtuese janë evidentimi i tatuazheve, moskalimi i kontrollit mjekësor dhe mungesa e besueshmërisë.

Gjithashtu, aplikuesi përjashtohet kur nuk kalon testin fizik, me shkrim dhe psikologjik, deklaron të dhëna të rreme, rezulton i dënuar, është përdorues droge dhe nëse ka varësi nga alkooli. Rregulloja e ndryshuar parashikon gjithashtu për herë të parë që vetëm personat që kanë mbushur moshën 19 vjeç dhe janë nën 30 vjeç kanë të drejtë të aplikojnë për t’u pranuar në kurset e Akademisë së Sigurisë për t’u rekrutuar në Policinë e Shtetit.

Ka ndryshuar edhe neni për dokumentet e aplikimit për t’u bërë pjesë e Policisë së Shtetit. Dokumente që kërkohen janë: formulari i aplikimit dhe autorizimi për sigurimin e dokumentacionit; fotokopje e kartës së identitetit; dokument që vërteton përfundimin e arsimit; fotokopje e dëshmisë së aftësisë së drejtimit të automjetit të tipit “B”; certifikatë e gjendjes gjyqësore; certifikatë familjare; vërtetim nga gjykata; vërtetim nga prokuroria; raport mjekoligjor; fotokopje të librezës së punës (nëse i disponon) dhe dokument që vërteton se nuk është përdorues droge.

Për herë të parë është vendosur që këto dokumente do të sigurohen nga policia përmes komunikimit zyrtar me strukturat përgjegjëse për lëshimin e tyre, për të evituar çdo mundësi manipulimi.

Ndërkaq, për aplikantët që hyjnë në kategorinë e fëmijëve të punonjësve të policisë që kanë humbur jetën për shkak të detyrës, do të përcaktohen procedura lehtësuese për pranimin e tyre në Akademinë e Sigurisë.

Ndërkaq, punonjëset e policisë shtatzëna dhe ato që kanë fëmijë deri në moshën 1 vjeç nuk mund të urdhërohen të kryejnë shërbim natën. Punonjëset e policisë, në muajt e dukshëm të shtatzënisë, nuk do të mbajnë uniformë policore. Rregulloja e re ndalon sharjet gjatë dhe jashtë detyrës nga punonjësit policisë, si ndaj kolegëve apo ashtu edhe ndaj qytetarëve.

Asnjë koment

Comments are closed.