26-06-2025

Kushtetuesja merr vendimin për konstituimin e Kuvendit

Gjykata Kushtetuese i ka obliguar partitë politike që për 30 ditë ta konstituojnë Kuvendin.

Kjo është bërë pas kërkesës nga AAK-ja dhe partitë në opozitë, për sqarim lidhur me votimin e fshehtë.

NJOFTIMI:

Gjykata ka vendosur njëzëri:

I. Të deklarojë kërkesën të pranueshme;

II. Të konstatojë që:

1. Seanca e konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, e filluar më 15 prill 2025, nuk ka përfunduar dhe si rezultat i moszgjedhjes së Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës e njëjta nuk është zhvilluar në pajtim me përcaktimet dhe kërkesat e paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës; dhe

2. Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në zbatim të paragrafit 1 të nenit 66 [Zgjedhja dhe Mandati] në ndërlidhje me nenin 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve], nenin 70 [Mandati i Deputetëve] dhe nenin 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Kreun IV të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në pajtim me këtë Aktgjykim duhet që sa më shpejt dhe jo më vonë se tridhjetë (30) ditë të përfundojnë seancën konstituive të Kuvendit duke zgjedhur Kryetarin dhe nënkryetarët e tij.

III. TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;

IV. T’ua kumtojë këtë Aktgjykim palëve;

V. Ta publikojë këtë Aktgjykim në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës, në pajtim me paragrafin 4 të nenit 20 (Vendimet) të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës;

VI. Ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.

Asnjë koment

Comments are closed.