30-03-2026

Kushtetuesja shpall të papranueshme kërkesën e Osmanit lidhur me emërimin e anëtarëve të KQZ-së

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të papranueshme kërkesën e presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me emërimin e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Osmani ka kërkuar vlerësimin e “konfliktit në mes të kompetencave kushtetuese sipas nenit 113” të Kushtetutës, përkatësisht në mes të saj dhe “grupeve parlamentare si trupa të Kuvendit të Kosovës” sa i përket emërimit të anëtarëve të KQZ-së.

Gjykata tha se nuk janë plotësuar kriteret e kërkuara kushtetuese në lidhje me ngritjen e “konfliktit të kompetencave kushtetuese”.

Kushtetuesja tregoi se në rastin konkret, konflikti i kompetencave është ngritur me një kompetencë të presidentes që nuk është e përcaktuar me Kushtetutë, por me Ligjin e zgjedhjeve të përgjithshme.

Kjo pasi, kjo kompetencë buron nga paragrafi 6 i nenit 61 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.

Gjykata tha po ashtu se edhe në pjesën e Kushtetutës që ka të bëjë me format e qeverisjes dhe ndarjen e pushtetit në asnjë pjesë nuk përcaktohet specifikisht e presidenti i Kosovës ka kompetencën që të emërojë anëtarët e KQZ-së.

“Në vlerësimin e Gjykatës në rrethanat e rastit konkret, presidentja e Republikës, ndonëse është palë e autorizuar që të ngritë çështje të konfliktit të kompetencave kushtetuese në mes të saj dhe Kuvendit, nuk ka ngritur para Gjykatës konflikt të ‘kompetencave kushtetuese’, si dhe për pasojë, Gjykata shpall kërkesën e presidentes së Republikës së Kosovës të papranueshme”, u tha në vendim.

Pas publikimit të vendimit, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës shkroi në Facebook se pritej ky vendim i Kushtetueses, duke theksuar se Gjykata veçse ka nxjerrë aktgjykime lidhur me përbërjen e KQZ-së.

“Presidentja duhet ta përmbyllë sa më parë kompletimin e përbërjes kushtetuese prej 11 anëtarësh të KQZ-së, duke e emëruar anëtarin e mbetur nga radhët e subjektit tjetër politik me të drejtë nominimi”, shkroi ai në Facebook.

Ditë më parë, Osmani iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për sqarim lidhur me emërimin e anëtarëve të KQZ-së, pasi Lëvizja Vetëvendosje në pushtet kërkoi tre anëtarë, dhe Partia Demokratike në opozitë kërkoi dy.

Sipas Osmanit, partitë kanë bërë më shumë propozime seç parashihet me Kushtetutë.

Para Osmanit më 27 mars janë betuar nëntë anëtarët e rinj të KQZ-së dhe për t’u kompletuar ky institucion duhet që të betohet edhe një anëtar.

Kërkesa e Osmanit drejtuar Kushtetueses ishte kritikuar nga koalicioni i OJQ-ve, Demokracia në Veprim, duke thënë se për ndarjen e anëtarëve të KQZ, Kushtetuesja veçse kishte vendosur më herët.

Asnjë koment

Comments are closed.