Kuvendarja Bushrani kërcënon Drejtorinë e Arsimit se do t’i paraqesë shkeljet në Prokurori, Susuri mohon akuzat
Anëtarja e Kuvendit Komunal (KK) nga Vetëvendosja, Mimoza Bushrani gjatë mbledhjes së sotme kritikoi Drejtorinë e Arsimit për shkelje në konkurse, duke thënë se prej tash rastet do t’i paraqesë në Prokurori, derisa drejtori i DKA-së, Skënder Susuri mohoi këto akuza, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Bushrani, partia e të cilës është në koalicion me Nismën Socialdemokrate, që menaxhon Drejtorinë e Arsimit, tha se drejtori Susuri po tenton që kandidatët me përgatitje “master”, përmes intervistës t’i barazojë me ata që kanë nivel të shkollimit më të ulët “bachelor”, kur dihet se kjo është e palejueshme.
Ajo përmendi disa raste “shkeljesh”, duke thënë se tashmë paraprakisht po dihet se cili nga kandidatët do të pranohet, duke akuzuar Susurin se po favorizon kandidatët nga partia e tij.
“Nëse ju ka mbetur pak respekt, ndalni këto manipulime gjatë konkurseve. Tash e tutje rastet e tilla do t’i paraqesë në Prokurori dhe këtë duhet ta bëjnë edhe vetë qytetarët që hasin në shkelje të tilla”, tha Bushrani.
Në anën tjetër, Drejtori i DKA- Skënder Susuri, në fjalën e tij tha se nëse vihet në dijeni se ka shkelje do të veprojë, ndërsa duke mohuar akuzat e Bushranit, tha se po ashtu inkurajon qytetarët t’i paraqesin rastet.
Sipas tij nga rreth 70 konkurse, vetëm 4 janë anuluar./GazetaePrizrenit.net/