Kuvendi Komunal i Prizrenit, sot paradite mbajti një seance të veçantë solemne, për nder të 22-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, raporton Gazeta e Prizrenit.
Seanca filloi me një minutë heshtje për nder të dëshmorëve dhe martirëve të rënë për liri, ndërsa më pas fjalën morën përfaqësuese të subjekteve politike pjesë e këtij organi, përfshirë edhe ata të komunitetit turk e boshnjak si dhe kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, të cilët kujtuan dhe vlerësuan sakrificën e madhe të familjes Jashari dhe rëndësinë e luftës së lavdishme të UÇK-së.
“Bazamenti i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës është po aq e drejtë sa lufta e e Adem Jasharit, po aq e sinqertë sa sakrifica e tij dhe po aq e fortë sa gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve të kombit”, tha Haskuka.
Mbledhjen e udhëhoqi kryesuesi, Sulltan Badallaj, ndërsa mysafirë ishin edhe përfaqësues të shoqatave të dalura nga lufta, Policisë së Kosovës, Forcave të Sigurisë, Universitetit të Prizrenit, Spitalit Rajonal, si dhe përfaqësues të medieve dhe të shoqërisë civile.
Aktivitetet komunale me rastin e 22 vjetorit të Epopesë së UÇK-së do të vazhdojnë me vizitën në Gorozhup dhe mbjelljen e 59 fidaneve në lokacione të ndryshme të Komunës.
Ndërkaq në shkollat e komunës së Prizrenit, ora e parë mësimore do t’i kushtohet Epopesë së UÇK-së, si datë me rëndësi të veçantë për shtetin e Kosovës dhe kombin shqiptar./GazetaePrizrenit.net/