Kuvendi miraton në parim projektligjin për sigurimin e detyrueshëm shëndetësor
Kuvendi i Kosovës ka mirautar në parim edhe projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
Ky projektligj u miratua me 65 vota për, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se projektligji synon mbulimin universal të shërbimeve shëndetësore dhe synon të përmirësojë shëndetin e mirëqenien, por edhe të parandalojë sëmundje të ndryshme.
“Është një hap i rëndësishëm drejt sigurimit të një sistemi shëndetësor të qëndrueshëm dhe të përballueshëm për të gjithë qytetarët. Me sigurimin e detyrueshëm çdo qytetar do të ketë qasje të barabartë në shërbimet bazë shëndetësore, duke reduktuar ndjeshëm barrën financiare individuale dhe duke garantuar trajtim të barabartë për të gjithë”, tha Vitia.

Ai tha se ky projektligj po ashtu siguron fonde të qëndrueshme për sistemin shëndetësor.
“Me këtë ligj themelohet Fondi i kujdesit të detyrueshëm shëndetësor, përfshirë funksionimin, financimin e Fondit të kujdesit të detyrueshëm shëndetësor të Kosovës”, tha ai.

Sipas ministrit, projektligji parasheh të prezantojë disa metoda të pagesës për shërbimet e kujdesit shëndetësor që mbulohen nga sigurimi i detyrueshëm. Megjithatë, ai nuk dha detaje lidhur me pakot që do të ofrohen apo tarifat që do të jenë për to.
“Skema e mbulimit të barnave jashtëspitalore është identifikuar si alternativa më e mirë për këtë shërbim shtesë dhe vlerë të shtuar”, tha Vitia.
Sipas tij, projektligji bazohet në parimin e barazisë dhe nuk do të ketë dallim në qasjen e shërbimeve shëndetësore mes personave që përmes kontributeve kanë sigurim shëndetësor, apo familjarëve të tyre që varen nga ky shërbim, apo pjesës së popullsisë që sigurimin shëndetësor ia mbulon shteti, duke shtuar se grupet e cenueshme do të përjashtohen nga kontributet.

Gjatë debatit, deputetët nga partitë opozitare vunë në pah se ka shumë paqartësi lidhur me këtë ligj.
Nga LDK-ja thanë se ligji parasheh që punëdhënësi të paguajë 3.5 për qind, ndërkaq 3.5 për qind do të paguhen nga punëtori. Hykmete Bajrami tha se edhe pensionistët do të paguajnë nga pensionet e tyre 3.5 për qind kontribute.
LDK-ja, sikurse edhe partia më e madhe opozitare, Partia Demokratike e Kosovës, dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e përkrahën në parim ligjin, duke thënë se kontributet e tyre për këtë ligj do t’i japin ndërmjet dy leximeve.
Artan Behrami nga PDK tha se ligji është jetik për qytetarët.
“Në parim jemi për këtë ligj dhe mes dy leximeve, ne do të sjellim një kontribut për ta bërë ligjin më të mirë dhe më lehtë të zbatueshëm”, tha ai.
Armend Zemaj nga LDK tha se ligji parashihet të hyjë në fuqi pesë vjet nga miratimi, duke argumentuar se qytetarët veçse kanë humbur vite të tëra nga mungesa e sigurimeve shëndetësore.
Ndërkaq, deputeti Daut Haradinaj, tha se e përkrahin ligjin, por pret nga Vitja që të qartësojë se kush dhe sa do të paguajë, a do të përjashtohen nga pagesa kategoritë e dala nga lufta, të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe kategori të cenueshme./G.S
