Ky është 80-vjeçari nga Prizreni që humbi jetën pasi u godit nga vetura e një polici
Burime të besueshme nga Prokuroria e Shtetit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur dje, rreth orës 18:00, kur vozitësi Isë Gashi, rreth 45-vjeçar, me automjetin Audi A4, po lëvizte në drejtim të qytetit të Prizrenit.
Hetimet e para tregojnë se polici nuk e kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet atmosferike dhe rrugore – në kohën kur kishte shi dhe errësirë – dhe në afërsi të pompës së karburanteve “Fresh Petrol” ka goditur këmbësorin që po kalonte rrugën jashtë vendkalimit.

Si pasojë e goditjes së rëndë, Haxhi Mazreku ka ndërruar jetë në vendngjarje, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi i urgjencës. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për autopsi dhe më pas është dorëzuar familjarëve.
Në vendin e ngjarjes kanë qenë prezentë Inspektorati Policor i Kosovës, shefi i NJRKRR-së në Prizren dhe njësitë përkatëse hetimore. Për shkak se vozitësi është pjesëtar i Policisë së Kosovës, rasti i është dorëzuar IPK-së për hetime të mëtejshme me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave që çuan në këtë aksident fatal.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
