21-02-2025

Ky është grabitësi i dënuar që tentoi ta vra:s me thikë të burgosurin në Burgun e Dubravës

Rasti i fundit që ndodhi në Burgun e Dubravës, ishte goxha i rëndë . Therja me thikë e një të burgosuri po hetohet tashmë dhe me urdhër të Prokurorit të Departamentit për Krime të Rënda, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”, raporton Gazeta Sinjali.

I burgosuri që po dyshohet për tentim vrasje është Ruzhdi Hasani, rreth 25-vjeçar, ndërsa i burgosuri viktimë është Harbin Vitija, rreth 24-vjeçar.

Vitija, i njohur si ‘Plaki i Bregut’ ndodhet në burg për rastin e qershorit të vitit të kaluar, që ndodhi pikërisht në këtë lagje, ku pati të shtëna me armë zjarri mes dy grupeve. Ndërsa Ruzhdi Hasani ka të kaluar kriminale dhe njihet si njëri ndër grabitësit e kryeqytetit, shkruan Sinjali.

Hasani kishte përfunduar në prangat e Policisë në shkurt 2024 bashkë me dy persona të tjerë, nën dyshimin për grabitjen që kishte ndodhur në pompën e derivateve “Shell Petrol” në Prishtinë, më 4 shkurt të atij viti.

Për këtë rast, Hasani dhe Valdrin Krivaqa, janë dënuar me nga 3 vite dënim me burgim dhe me nga 1 mijë euro dënim me gjobë.

Lidhur me këtë vepër penale, të dy e kishin pranuar fajësinë në seancën fillestare që ishte mbajtur për këtë rast më 5 korrik 2024. Kurse i akuzuari tjetër Diar Kurti nuk kishte pranuar fajësinë për veprën penale në bashkëkryerje grabitje dhe i njëjti dyshohet se e kishte drejtuar veturën ku ndodheshin të dyshuarit.

Bazuar në dosjen e Prokurorisë, më 4 shkurt 2024, rreth orës 23:55 në pompën e derivateve “Shell Petrol” në rrugën ‘Isa Kastrati’, e cila ndodhet në Prishtinë, të akuzuarit në bashkëkryerje e pas marrëveshjes paraprake kanë kryer plaçkitjen.

Sipas aktakuzës, me të arritur në pompë me veturën e tipit “Audi Q5”, te cilën e ka drejtuar Diar Kurti, Valdrin Krivaça dhe Ruzhdi Hasani kanë hyrë në market të pompës së derivateve dhe fizikisht kanë sulmuar punëtorët e pompës së derivateve, gjithë kohës duke kërkuar të holla me kanosjen që do të nxjerrin armë në qoftë së të dëmtuarit nuk ua japin.”

Ata akuzohen se kanë marrë të holla nga arka e marketit në vlerë 149,95 euro dhe 4 pako të cigareve në vlerë të përgjithshme 12,40 euro.

Edhe në vitin 2022, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtor Ruzhdi Hasanin për veprën penale “Grabitja”, rast ky që kishte ndodhur në vitin 2020 – dhe e kishte dënuar me 4 vite burgim dhe dënim me gjobë prej 1 mijë euro.

Asnjë koment

Comments are closed.