Ky është i arrestuari për sulm ndaj zyrtarit policor të Trafikut Rajonal në Prizren
Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë dyshohet se ka ndodhur të premten në Dragash, teksa Policia e Trafikut Rajonal në Prizren po patrullonte në një pikë kontrolli.
Dy persona që ndodheshin në një motoçikletë dyshohet se nuk e përfillën urdhrin e Policisë për t’u ndalur dhe ikën, ku gjatë rrugës dyshohet se njëri prej tyre e ka goditur një zyrtar policore.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se personi që po dyshohet lidhur me këtë rast është Përparim Piraj, rreth 33-vjeçar, i cili tashmë ndodhet në mbajtje.
Pasi Policia ndërmori veprimet e nevojshme, i dyshuari u arrestua dhe u shoqërua në stacion policor.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Prizren.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.