Ky është orari i ri i furnizimeve për lokalet në “Shatërvan” të Prizrenit
Komuna e Prizrenit dhe përfaqësues të gastronomisë dhe bizneseve, të cilët ushtrojnë veprimtarinë e tyre në “Shatërvan” të Prizrenit, të martën arritën kompromis për përcaktimin e orarit të furnizimeve për lokalet dhe për çështje tjera që lidhen me këtë pjesë të veçantë të qytetit.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, i shoqëruar nga drejtori i DSHP-së, Çelë Lamaj, ka pritur në një takim përfaqësues bizneseve, pas paralajmërimeve për ndryshimin e orarit të furnizimeve të lokaleve nga muaji prill dhe disa çështjeve tjera që ndërlidhen me këtë zonë të veçantë të qytetit.
Orari i furnizimeve nga 1 prilli do të bëhet deri në orën 09:00 të mëngjesit, ka njoftuar Totaj, me të cilën janë pajtuar edhe mysafirët e tij të sotëm.
Ditë më parë, Komuna pati njoftuar se orari i furnizimit të lokaleve për sezonin veror do të jetë nga ora 00:00- 07:00 ndërsa për atë dimëror nga data 30 shtator, orari i furnizimit të jetë nga ora 22:00- 08:00, gjë që nxiti reagime nga bizneset që veprojnë në këtë pjesë. /Gazeta e Prizrenit