23-12-2024

Ky është P. Kodra, personi që planifikohej të vriste Albin Kurtin

Prek Kodra është personi që ‘preku’ opinionin publik në Kosovë sot, pas raportimeve tashmë të konfirmuara për një plan për vrasjen e kryeministrit Albin Kurti, deputetit Xhavit Haliti dhe një komandanti me emrin Ismet Haxha. Por, kush është Preku që planifikohej të vriste kryeministrin Albin Kurti?

Sipas dokumentit, roli i Prek Kodrës në serinë e atentateve që kishin për qëllim destabilizimin politik të Kosovës, ishte ai i atentatorit/vrasësit. Policia shqiptare e përshkruante Prekun (që në disa dokumente quhet Prekë) si person që dinte se si të përdorte edhe armën e zjarrit snajper.

Paraprakisht mësohej që planifikohej të vritej Ismet Haxha, dhe më pas Xhavit Haliti. Një muaj pas vrasjes së deputetit të PDK-së, do të vritej edhe Albin Kurti për t’u dukur si akt hakmarrjeje.

Nacionales i kanë ardhë shumë informacione për personin që thuhej se duhej të realizonte planin në fjalë me armë në dorë. Shumë prej këtyre informacioneve janë të pa verifikuara.

Një informacion i verifikuar megjithatë për z. Prek Kodra, është se ai ishte arrestuar në verën e vitit 2011 pasi kishte penguar mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Shalë të Shkodrës. Ai raportohej se ishte simpatizant i njërës prej dy partive të mëdha të Shqipërisë (Partia Socialiste-Partia Demokrate).

46-vjeçari del se është nga fshati Shtoj i Ri në Shkodër. Ai ishte dyshuar edhe për lidhje të forta me mafien e Malit të Zi, me nipin e tij që pretendohet të jetë zënë me substanca narkotike dhe të ketë pasur probleme ligjore me këtë vend.

“Ka lidhje të forta me malazez. Këta (grupi i Kodrës) bëjnë krime dhe i mbulojnë se kanë lidhje me shtetin”, i tha një burim që donte të mbetej anonim për shkaqe sigurie.

Nipi i z. Kodra raportohet të jetë Pëllumb Guri, i cili madje edhe kishte shtënë në drejtim të zyrtarëve policorë malazez kur ishte penguar në aktivitetet e tij që kishin të bënin me transportimin e 88 kilogramëve lëndë narkotike kanabis sativa.

Policia e Shtetit shqiptar kishte qenë në banesën e z. Kodra, ku kishin gjetur një numër të madh armësh por jo edhe personin në fjalë. Ai i kishte dy fëmijë të mitur në momentin e bastisjes nga forcat e rendit.

Kujtojmë se Zyra e Kryeministrit ka konfirmuar se kryeministri Kurti ishte në dijeni për këtë informacion.

“Rasti nuk është bërë publik që të mos përhapet panik,” – tha ZKM-ja

Asnjë koment

Comments are closed.