Ky është personi që u gjet pa shenja jete në Fushë Kosovë
Një burrë është gjetur pa shenja jete mbrëmjen e së mërkurës në banesën e tij në rrugën “Besa-Besë” në Fushë Kosovë.
Sinjali mëson ekskluzivisht se personi që u gjet pa shenja jete është Bajram Selmanaj, 68 vjeçar.
Rasti është raportuar në polici rreth orës 19:45, pasi dhëndri i tij, i shqetësuar që nuk kishte mundur të kontaktonte me të që nga dita e kaluar, ka njoftuar autoritetet. Sipas informacioneve të siguruara nga burimet e Sinjalit, dera e banesës së Selmanajt ishte e mbyllur dhe nuk kishte asnjë reagim nga brenda.
Në vendngjarje kanë dalë njësitë policore dhe më pas edhe zjarrfikësit, të cilët përmes një dritareje kanë arritur të hyjnë në banesë, ku kanë gjetur trupin e pajetë të Selmanajt.
Në vendin e ngjarjes është paraqitur edhe Prokurori i Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, i cili ka urdhëruar që trupi të dërgohet në obduksion dhe ka autorizuar nisjen e procedurave për rastin “Hetim mbi vdekjen”.

Shkaqet e ndarjes nga jeta të Bajram Selmanajt pritet të sqarohen përmes analizave të Institutit të Mjekësisë Ligjore.