02-02-2026

Ky është zyrtari korrektues që u pezullua, tentoi të fuste substanca nar*kot*ike brenda burgut

Sot në Qendrën Korrektuese të Dubravës u parandalua tentativa për futjen e kontrabandës. Pas informacioneve nga institucionet e sigurisë, gjatë kontrollit të qëllimshëm në hyrje u ndalua zyrtari korrektues me inicialet S.D., te i cili u gjetën të fshehura substanca të dyshuara narkotike, që dyshohet se kishte për qëllim t’i fusë brenda institucionit.

IndeksOnline mëson se fjala është për zyrtarin korrektues Sebastian Delijaj.

Për rastin janë njoftuar menjëherë Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës ka ndërmarrë masa të menjëhershme disiplinore ndaj zyrtarit në fjalë, duke e suspenduar atë nga detyra. Vendimi për pezullim është marrë nga Komisioni Disiplinor i SHKK-së dhe masa mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër”, thuhet në njoftim.

Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e dukurive të tilla negative dhe do të veprojë në përputhje me ligjin ndaj çdo individi të përfshirë, pa përjashtim, duke mos toleruar asnjë rrezikim të sigurisë dhe integritetit të institucioneve korrektuese.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Asnjë koment

Comments are closed.