Ky person u ekstradua nga Shqipëria për t’u përballur me drejtësinë në Kosovë – dyshohet për mbi 1 ton dro*gë
Pas disa muajsh në arrati dhe kërkim ndërkombëtar, një nga të dyshuarit kryesorë për laboratorin e drogës që u zbulua në fshatrat e Pejës, është dorëzuar drejtësisë kosovare.
Burime të sigurta të Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Engjëllush Ibrahimin (rreth 40-vjeçar), i cili u arrestua në Shqipëri dhe sot është ekstraduar në Kosovë.
Operacioni i ekstradimit është realizuar nga njësitë e reagimit të shpejtë të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet shqiptare dhe institucionet gjyqësore, si rezultat i bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër narkotikëve.
Engjëllush Ibrahimi ishte në mesin e gjashtë personave të përfshirë në një rast që kishte tronditur opinionin më 27 shtator 2024, kur në fshatin Sferkë të Pejës u zbuluan sasi të mëdha droge, përfshirë qindra kilogramë marihuanë dhe mijëra bimë kanabis në një ambient të përshtatur për kultivim.
Me vendim të Gjykatës Themelore në Pejë, ndaj Ibrahimit ishte lëshuar urdhër-arrest, ndërsa pas ekstradimit, i njëjti është intervistuar nga hetuesit dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në ndalim për 48 orë.
Ndaj tij rëndon akuza për veprën penale:
“Kultivimi i bimëve të hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”, sipas nenit 272 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sinjali do të vazhdojë të raportojë për këtë rast që pritet të zbulojë më shumë emra dhe lidhje të përfshira në një nga operacionet më të mëdha kundër narkotikëve në Kosovë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.