25-11-2024

Ky pritet të jetë orari i ri për hotelerinë pas 18 prillit

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, është takuar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, të cilit edhe i ka kërkuar lehtësimin e masave për këtë sektor.

Ai pas takimit ka thënë se Vitia u ka premtuar se hoteleria dhe gastronomia do të hapen pas 18 prillit kur edhe përfundojnë masat në fuqi, njofton Klan Kosova.

“Sigurisht që në këtë takim OHT ka qenë me kërkesa të qarta, me ç’rast është kërkuar hapje në tërësi për të gjitha subjektet hoteliere/turistike, duke përfshirë hotelerinë, gastronominë, pishinat, sallat e dasmave, dekoret etj. Mirëpo, nga ky takim u premtua se hoteleria dhe gastronomia do të hapet me datë 18 prill, me orar deri 22:30 apo 23:00”, thuhet në njoftim.

“Për momentin, sektori i dasmave ka mbetur pezull dhe do të mund të funksionojnë vetëm sallat me ambient të jashtëm, ndërsa për sallat e mbyllura akoma nuk ka një kohë të caktuar se kur mund të fillojnë, me gjasë mbetet deri të ndodh vaksinimi i 60% të popullsisë”.

Nga Oda e Hotelerisë dhe Turizmit po thonë se shpresojnë që vaksinimi do t’iu mundësojë funksionim të plotë gjatë sezonit të verës.

Në njoftim thuhet gjithashtu se do të bëhet publike edhe manuali i dhënë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.