Lajm i mirë: Britania e Madhe aprovon përdorimin e vaksinës Pfizer në javën tjetër
Britania e Madhe është bërë shteti i parë perëndimor që ka dhënë licencë për përdorimin e një vaksine kundër koronavirusit, duke e hapur rrugën për imunizim masiv të popullsisë me vaksinën që është zhvilluar nga kompania amerikane, “Pfizer”, në bashkëpunim me kompaninë gjermane, “BioNTech”, për personat që janë më së shumti në rrezik.
Kjo vaksinë u miratua për përdorim urgjent nga Autoriteti Rregullues për Prodhime Mjekësore dhe vendimi u mor më herët se vendimet që pritet të merren më vonë në Shtetet e Bashkuara dhe në Bashkimin Evropian.
Lexo Edhe:
Këto janë vendbanimet e sotme të rajonit të Prizrenit me rastet e reja me Covid
Këtij organi iu dha kompetenca për ofrimin e miratimit nga qeveria sipas rregulloreve të veçanta para 1 janarit të vitit të ardhshëm, kur autoriteti do të bëhet plotësisht përgjegjës për autorizimet e prodhimeve mjekësore në Britani pas BREXIT-it.
Kompania “Pfizer” tha se dozat e para do të arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar në ditët e ardhshme. Britania e Madhe i ka blerë 40 milionë doza të vaksinës në fjalë, e cila gjatë testimit ka shfaqur efikasitet 95 për qind, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
“Autorizimi i sotëm për përdorim urgjent në Britani shënon një moment historik në luftën kundër COVID-19. Ky autorizim është një qëllim për të cilin ne kemi punuar shumë prej ditës kur së pari deklaruam se shkenca do të fitojë”, tha Albert Bourla, kryeshef ekzekutiv i kompanisë “Pfizer”.
Ndonëse vaksina duhet të ruhet në kushte të veçanta, në temperaturë -70 gradë, kompanitë që e kanë zhvilluar atë kanë thënë se ajo mund të mbahet deri në pesë ditë edhe në frigoriferë të zakonshëm, në temperatura nga 2 deri në 8 gradë.
Sipas rezultateve të testimit njerëz, kjo vaksinë është njësoj efektive si te të rinjtë, ashtu edhe te personat mbi moshën 65-vjeçare, të cilët janë më së shumti të rrezikuar nga koronavirusi. Vaksina ka vepruar njësoj edhe te personat me gjini, racë dhe etni të ndryshme.