Lajm i mirë nga Prizreni: Dy mjekët e testuar nuk dalin të infektuar nga koronavirusi
Dy mjekët e Shërbimit Urgjent të Komunës së Prizrenit, të dyshuar me virusin COVID-19 kanë rezultuar negativ në testimet e tyre, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Lajmin e ka konfirmuar edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, i cili ka ftuar organet përkatëse për hetime ndaj atyre që dezinformojnë opinionin dhe përhapin panik të panevojshëm, në këtë situatë pandemie.
Njëri nga mjekët ka qenë kontakt i personit të infektuar dhe i dyti ka qenë kontakt i kontaktit.
Për këto raste, dy ditët e fundit është shkruar shumë në mediet e vendit. Në këtë kontekst është raportuar se shkaku i mjekut të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, përkatësisht urgjencës, 45 punëtorë të saj janë në vetizolim.
Ndërkaq, një letër ishte përhapur edhe në rrjete sociale, ku një femër e cila pretendoi se është mjeke, ka denoncuar mjekun se ai ka rrezikuar shëndetin e kolegëve dhe të pacientëve, meqenëse nuk ka treguar se ka pasur kontakt me të infektuarin me COVID-19, të vjehrrin e tij, që ka rezultuar pozitiv, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Postimi i Haskukës:
“Dy mjekët e Shërbimit Urgjent të Komunës së Prizrenit për të cilët janë përhapur dezinformata të shumta këto ditë nëpër media dhe rrjete sociale, si të dyshuar me virusin COVID-19 për shkak se kanë pasur kontakt me personin e prekur nga ky virus, kanë rezultuar negativ në testimet e tyre.
Testimet janë bërë në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Në një situatë të tillë emergjente ku po kalojmë, saktësia e informacionit ka rëndësi të madhe, andaj lus qytetarët që mos t’i besojnë lajmeve të paverifikuara dhe të informohen vetëm nëpërmjet institucioneve relevante.
Ftoj organet e drejtësisë që t’i hetojnë të gjithë ata të cilët dezinformojnë opinionin dhe përhapin panik të panevojshëm”. /GazetaePrizrenit.net /