Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se sot janë testuar gjithsej 220 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, ku me SARS-CoV-2 janë konfirmuar 6 raste.
Për dallim nga një ditë më parë, sot jo vetëm në komunën e Prizrenit, por as në këtë rajon nuk ka raste të reja, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Sipas zyrtarëve shëndetësorë të Prizrenit, sot janë testuar edhe 32 persona për Covid-19, 28 prej tyre punonjës në rajonin Policor të Kosovës dhe 4 raste të tjera që janë kontakte të të infektuarve.
Një ditë më parë dolën 5 raste me coronavirus, që të gjithë raste kontakti nga fshati Gërnçar i Prizrenit.
Referuar shënimeve, aktualisht në komunën e Prizrenit janë 134 raste të infektuar. Prej tyre 75 raste tash më janë të shëruar, ndërsa tre persona, prej të cilëve dy burra dhe një grua fatkeqësisht kanë humbur jetën.
Ndërkaq, rastet e sotme pozitive në nivel vendi janë raste kontakti nga: komuna e Vushtrrisë 5 raste (sipas vendbanimit: 5 raste Stanovc) dhe 1 rast me vendbanim në Llazarevë-Obiliq.
Sot janë shëruar 12 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 841 raste.
Nga data 08 shkurt deri më 30 maj 2020, në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 14.855 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.070 raste, me gjithsej 30 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.
Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 30 maj 2020 sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 6.089.152 raste të COVID-19 dhe 368.696 raste të vdekjes. /GazetaePrizrenit.net /