25-11-2024

LDK hap fushatën në Prizren/Hoti: Marrëveshjen e Uashingtonit po e kundërshtojnë ata që ishin kundër Rambujesë

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të premten në Prizren se Marrëveshjen e Uashingtonit, që i solli Kosovës 1 miliard investime, përfshirjen e FSK-së në misione paqeruajtëse ndërkombëtare, njohjen nga Izraeli etj, po e kundërshtojnë të njëjtit njerëz që i kanë kundërshtuar të gjitha proceset e shtetndërtimit, duke filluar nga Marrëveshja e Rambujesë që solli lirinë e Kosovës.

“Ata nuk kanë ide dhe as vizion, sepse nuk shohin përtej interesave të tyre personale dhe partiake. Nuk lënë gjë pa bërë për një grusht vota dhe pak pushtet”, tha kryeministri Hoti.

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti tha se askush më mirë se qytetarët e Prizrenit nuk e di se çfarë sjellë qeverisja eksperimentale.

“Jam i bindur se me fitoren e LDK-së më 14 shkurt edhe në Prizren, vjeshta e këtij viti, përveç se do ta zhbëjë pandeminë, do t’i vyshkë përfundimisht ekperimentuesit që pasuan qeverisjen korruptive disavjeçare të kësaj komune nga ata që Prizrenin e konsideronin hambar vetëm për vota”, tha kandidati i LDK-së në tubimin elektoral në Prizren.

Duke folur për programin e LDK-së në këto zgjedhje, Hoti tha se prioritet është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe integrimin euro-atlantik i Kosovës.

“Rritjen e pagave ne do ta bëjmë çdo vit, mbi bazën e rritjes ekonomike të Kosovës. Ne kemi plane për investime prej 1 miliard euro nga Marrëveshja e Uashingtonit, nga të cilat do të ketë investime të mëdha publike. Qeverisja jonë do ta garantoj pagën minimale 300 euro. Do të heqim kufizimin për 15 vjet për pensionet kontribut-dhënëse. Deri në vitin 2023 nuk do të ketë ndihmë sociale apo pension nën 300 euro. Asistenca sociale do të lidhet me koston e jetesës dhe rritet për 30%. Do të institucionalizojmë kujdesin për personat me nevoja të veçanta”, tha Hoti.

Ai bëri thirrje që më 14 shkurt të votohet LDK me numrin 132.

“Mos lejoni te mashtroheni nga: ata që LDK-në e duan vetëm për favore, që e braktisin kur nuk u konvenon, që braktisin listën e LDK-së me akademikë, profesionistë, patriotë e punëtorë, njerëz me integritet të lartë, e që ju bashkohen listës me ekstremistë e komunistë,që tash recitojnë në konferenca për medie ashtu si ju shkruajnë fjalimet nga byrotë politike të tipit të komunizmit, ata që këto ditë i janë përgjëruar shefit të tyre për ta fshirë qëndrimin e Vetëvendosjes ndaj Presidentit Rugova. Ata e meritojnë refuzimin e plotë të qytetarëve të Kosovës”, tha kandidati i LDK-së për kryeministër. /Botapress.info/

 

Asnjë koment

Comments are closed.