LDK-ja bojkoton mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Prizrenit
Kuvendarët e LDK-së, që janë pjesë e koalicionit qeverisës në Prizren, sot nuk morën pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit Komunal (KK) të Prizrenit, në të cilën me kërkesë të opozitës është debatuar për gjendjen në arsim dhe zgjedhjen e drejtorëve dhe zëvendës drejtorëve, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Kjo ndërkaq edhe pritej pas deklarimit të mbledhjen e fundit të KK-së, një javë më parë, kur shefi i kuvendarëve të LDK-së, Haziz Hodaj, paralajmëroi se për shkak të pakënaqësive dhe mospajtimeve me qëndrimet e Drejtorisë së Arsimit, rreth zgjedhjes së drejtorëve të shkollave, në shenjë revolte do të heqin dorë nga pjesëmarrja në rastet kur flitet për arsimin.
Ai ka thënë se Drejtori i Arsimit do të jetë i burgosur i ndërgjegjes së tij, i besimit të qytetarëve, derisa përgjegjësia për gjithçka që ndodh në arsim bie në kryetarin e Komunës, sepse nëse kryetari në një formë apo në një tjetër lejon të luhet me ndjenjat e nxënësve në radhë të parë atëherë përgjegjësia është e tij.
Në LDK kanë kritikuar se kandidatët, pjesë e Nismës Socialdemokrate në Prizren, që edhe menaxhon Drejtorinë e Arsimit kanë marrë numrin më të madh të shkollave./GazetaePrizrenit.net