LDK-ja e mbron Lutfi Hazirin, i përgjigjen Vetëvendosjes për koalicion
Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, në një prononcim për “Zërin” ka thënë se deklaratat e nënkryetarit Haziri assesi nuk e pengojnë arritjen e një marrëveshjeje koalicioni mes LDK-së e LVV-së.
Sipas saj, ndonëse LVV-ja ka dalë si partia më e votuar, ajo duhet të tregohet politikisht e pjekur me qëllim që qeveria e re të krijohet sa më parë.
“Nuk besoj në asnjë mënyrë se deklaratat e z. Hazirit e pengojnë arritjen e koalicionit, sepse duhet besuar që sidomos LVV-ja duhet të jetë e pjekur politikisht dhe t’u hyjë çështjeve seriozisht pa shantazhe, pa kushte, pa asnjë gjë sepse pa marrë parasysh ne ende nuk i kemi rezultatet e certifikuara, por trendi po thotë se LVV-ja është para LDK-së. E nëse është kështu, atëherë LVV-ja ka vetëm më shumë përgjegjësi, por nuk ka asnjë privilegj më shumë”, ka thënë Gaxherri.
“Pavarësisht dallimeve, neve qytetarët na kanë dhënë votën që të qeverisim bashkë dhe ne duhet ta gjejmë bashkëpunimin për këtë, sa më shpejt ta harmonizojmë programin dhe të pajtohemi në pikat kyçe. Është duke u punuar shumë për këtë dhe besoj se shumë shpejt do ta arrijmë unifikimin”, ka shtuar ajo.