LDK: Komuna e Prizrenit është shndërruar në zonë të krimit urbanistik – koha për t’i dhënë fund modelit të qeverisjes Totaj!
LDK në Prizren reagoi ashpër ndaj skandaleve e keqpërdorimeve në sektorin e ndërtimit, te publikuar se fundi medie, duke e cilësuar qeverisjen aktuale si model të krimit urbanistik.
LDK deklaron se dhënia e lejeve ndërtimore po bëhet në kundërshtim me ligjin dhe hartat zonale, ndërsa kryetari Totaj është kthyer në figurë protokollare, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Ky subjekt kërkon ndërhyrje urgjente të Prokurorisë dhe i bën thirrje qytetarëve që në tetor t’i japin fund kësaj mënyre të udhëheqjes.
Reagimi i plotë i LDK-së në Prizren:
Komuna e Prizrenit është shndërruar në zonë të krimit urbanistik – Është koha për t’i dhënë fund modelit të qeverisjes Totaj!
Reagimet e Degës së LDK-së në Prizren kanë nxitur debat të domosdoshëm mbi mënyrën se si po keqpërdoren institucionet komunale për interesa të ngushta në fushën e ndërtimit. Ajo vjen në një moment kur qytetarët kanë nevojë për transparencë, përgjegjësi dhe drejtësi.
Sipas një hulumtimi të fundit të publikuar nga Betimi për Drejtësi, janë zbuluar praktika alarmante në dhënien e lejeve ndërtimore në Komunën e Prizrenit: ndryshimi taktik i numrave të parcelave për të lëshuar leje të shumëfishta për të njëjtën pronë, tejkalime të miratuara të kateve, lëshim i certifikatave të përdorimit në kundërshtim me ligjin, dhe leje të dhëna në kundërshtim të plotë me hartat zonale.
Këto veprime nuk janë thjesht shkelje teknike – ato janë shkatërrim sistematik i rendit ligjor në funksion të përfitimeve të një grushti njerëzish.
Në këtë situatë, kryetari i Komunës Shaqir Totaj, gjithnjë e më shumë shihet si një figurë protokollare, ndërsa pushteti real ushtrohet nga individë dhe grupe të interesit që veprojnë pa llogaridhënie dhe përtej ligjit.
Kjo mënyrë qeverisjeje është e papranueshme. Komuna është kthyer në një laborator të shkeljes së ligjit dhe qyteti po shndërrohet në pronë private të pak njerëzve të lidhur me pushtetin lokal.
Lexo edhe:
“Shtëpia e Bardhë” në Prizren – a po mbulohet nga të zezat e qeverisjes Totaj?!
LDK me të drejtë ka ngritur zërin për këtë situatë. Por tani është radha e Prokurorisë që të veprojë me gjithë forcën e ligjit. Të dhënat dhe faktet janë publike, të dokumentuara dhe serioze. Çdo vonesë në ndërhyrje vetëm sa e thellon krizën dhe krijon precedent të rrezikshëm për gjithë vendin.
Tetori do të jetë mundësi për t’i dhënë fund këtij modeli të errët të udhëheqjes në Prizren. Qyteti meriton një qeverisje që mbështetet në ligj, drejtësi dhe interes publik – jo në marrëveshje të heshtura dhe pazar të mbyllur.