LDK: Kush po e udhëheq realisht Komunën e Prizrenit?
Dega e LDK-së në Prizren ka reaguar duke shtruar pyetje për vendimmarrjen dhe udhëheqjen reale te Komunës së Prizrenit, ku qeverisjen e ka Shaqir Totaj. Sipas tyre kjo përbën një shenjë shqetësimi të thellë qytetar për mungesën e transparencës, vendimmarrjes së qartë dhe drejtimit të duhur institucional në komunën tonë.
Komunikata e plotë:
Kush po e udhëheq realisht Komunën e Prizrenit?
Gjithnjë e më shpesh po dëgjojmë një pyetje që buron anekënd qytetit, nga zyrat publike, nga komuniteti i biznesit dhe nga vetë qytetarët:
“Kush po e udhëheq Komunën e Prizrenit?”
Kjo nuk është një pyetje retorike – është një shenjë shqetësimi të thellë qytetar për mungesën e transparencës, vendimmarrjes së qartë dhe drejtimit të duhur institucional në komunën tonë. Qytetarët e Prizrenit kanë të drejtë të dinë kush e mban përgjegjësinë për menaxhimin e përditshëm të punëve komunale, për projektet publike, për fondet e shpenzuara dhe për prioritetet që po vendosen në emër të tyre.
Në letër, Prizreni ka një kryetar komune të zgjedhur. Por në praktikë, abuzimi me tenderë dhe vendimarrje jashtë institucionale, mungesa e vendimeve strategjike, mungesa e mbikëqyrjes së duhur dhe koordinimit institucional ka krijuar bindjen se drejtimi i Komunës nuk është në duart e personave që qytetarët i kanë votuar.
Kjo mjegull politike dhe administrative po i lë qytetarët në mëdyshje dhe po i shtyn të pyesin me të drejtë: Kush e ka dorën mbi timon?
Ne besojmë se udhëheqja publike nuk është vetëm një pozitë formale – ajo kërkon përgjegjësi reale, qartësi veprimi dhe lidhje të drejtpërdrejtë me qytetarët. Prandaj, kërkojmë transparencë të menjëhershme nga institucionet komunale: kush po i merr vendimet, cilat janë prioritetet dhe pse qytetarët nuk ndihen të përfaqësuar?
Prizreni meriton drejtim të qartë, të përgjegjshëm dhe të ndershëm. Heshtja dhe abuzimi nuk është zgjidhje.
LDK – PRIZREN
ZYRA PËR INFORMIM