LDK në Prizren: Qeverisja aktuale e ka shndërruar Prizrenin në qytetin më të ndotur
“Këto ditë të nxehta ku temperaturat në Prizren po shkojnë lartë mbi 30 gradë celsius, qytetaret prizrenas po kërkojnë freski në vende ku ka pak më shumë gjelbërim.
Qeveria komunale e drejtuar nga kryetari Mytaher Haskuka, përveç që në katër vite nuk ka shtuar asnjë metër katror sipërfaqe të gjelbëruar, por ka lejuar degradimin e skajshëm të sipërfaqeve aktuale dhe tkurrjen e tyre me betonime gjithandej. Mjafton të bëhet një ecje nëpër lagjen Ortakoll dhe do ta shihni makinerinë e betonimit që ky pushtet ka vu në lëvizje pa mëshirë nëpër hapësira publike.
Në anën tjetër, parku i vetem i qytetit, i mbipopulluar këtyre ditëve, duket si mos më keq. Mbeturina gjithandej, drurë që u thyhen degët dhe bien përtoke duke rrezikuar jetërat e qytetarëve, tualetet jashtë funksionit, ndriçim që punon pjesërisht brenda dhe jashtë parkut, lumi i mbushur me mbeturina që notojnë mbi të si dhe kaos e parregullsi gjithandej në parkimin e veturave mbi hapësirën e gjelbëruar të parkut..
Është për keqardhje se si me neglizhencën e paaftësinë e pushtetit aktual, Prizreni u shndërrua nga një qyteti që konsiderohet ndër më të pastërtit në vend, në qytetin më të ndotur!
Si është e mundur me qenë kaq të paaftë e të painteresuar për të ofruar një shërbim të hajrit për qytetarët që mes tjerash njihen si taksapaguesit ndër më të rregullt në vend.
Prizreni dhe prizrenasit nuk e meritojnë një trajtim të tillë, prandaj e shpejtë do të jetë koha kur ata vet do ti ndëshkojnë me votën e tyre këtë administratë që ka dështuar plotësisht në përmbushjen e obligimeve dhe përgjegjësive të veta karshi qytetarëve.
Prizren
29.06.2021