25-11-2024

LDK: Qeveria s’ka moral politik që të dorëhiqet, duhet mocion mosbesimi

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, në një prononcim për “Zërin” është shprehur se janë të gatshëm të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen në Kuvend për rrëzimin e Qeverisë.

Sipas Avdylit, forma e vetme për të shkuar në zgjedhje është mocioni i mosbesimit, ndonëse edhe protestat janë formë demokratike e legjitime, por të cilat Qeveria aktuale nuk i merr parasysh.

“Qeverinë e tillë në një vend demokratik e rrëzon vetëm mocioni, normalisht protestat e format tjera janë një formë e reagimit qytetar, që janë forma demokratike të shprehjes së një revolte qytetare dhe mendoj që nuk ka asgjë të keqe edhe të bëhen organizime të tilla. Por mendoj që kjo qeveri duhet të rrëzohet me mocion ose me dorëheqje. Por me dorëheqje nuk ndodh sepse këta nuk kanë moral politik dhe nuk besoj aspak që japin dorëheqje”, është shprehur Avdyli.

Sipas Avdylit, është mirë që opozita të bashkëpunojë edhe me deputetë “vullnetmirë” të pozitës që qeverinë “Haradinaj” ta rrëzojnë me mocion, për shkak se Qeveria aktuale nuk ka moral që të dorëhiqet për shkak të protestave të qytetarëve.

“Format tjera janë demokratike dhe normalisht janë legjitime, por mendoj që kjo qeveri nuk e qan hallin as për protesta, sepse këta nuk kanë moral politik dhe edhe po të dalin një milion qytetarë në rrugë këta prapëseprapë do të vazhdojnë me veprimet e tyre, sepse e kanë gjetur terrenin dhe po u shkojnë punëve siç e kanë zanat, me korrupsion e me veprime të ngjashme, prandaj jam skeptik që protesta i dërgon në shtëpi”, ka theksuar Avdyli. /ZERI

Asnjë koment

Comments are closed.