Lekaj thotë se me LDK-në janë marrë vesh të ndërtohet autostrada e Dukagjinit
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka qartësuar të gjitha detajet për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK), edhe pse janë në pritje të vendimit nga Gjykata Kushtetuese për dekretin e presidentit për mandatarin e Qeverisë së re.
Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka bërë të ditur për Ekonomia Online se e mirëpresin çfarëdo vendimi nga Gjykata Kushtetuese.
Ish-ministri i Infrastrukturës theksoi se në këtë Qeveri do të ketë ndërtime të autostradave pavarësisht dallimeve që kanë me LDK-në për këto projekte.
Ai tha se janë dakorduar që Autostrada e Dukagjinit të përfundojë në këtë qeverisje, ndonëse ky projekt u ndërpre nga Qeveria në detyrë, përkatësisht ministri Lumir Abdixhiku, që vjen nga LDK-ja.
Lekaj ka folur edhe për ministritë e caktuara për Qeverinë e re në ardhje, nga të cilat tha se nuk ka pranuar të jetë ministër në këtë mandat.
Ai potencoi se AAK-ja do të ketë Ministrinë e Punëve të Jashtme me Meliza Haradinaj, Ministrinë e Drejtësisë, Selim Selimi, Ministrinë e Arsimit Ramë Lika, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Blerim Kuqi, si dhe pozitën e zëvendëskryeministrin e parë në krye me Besnik Tahirin.