Lëvizja e kosovarëve me letërnjoftime në Bosnje bllokohet nga politikanët s
Nga vendet e rajonit, janë qytetarët e Kosovës të cilët nuk mund të udhëtojnë në Sarajevë për shkak se politikanët serb, Millorad Dodik, kryetar i entiteti Republika Serbe, dhe anëtarja e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelka Cvijanoviq e kundërshtojnë lëvizjen e lirë të kosovarëve në Bosnje dhe Hercegovinë.
Ky kundërshtim nuk mund të konsiderohet vetëm politikë, sa edhe racist, përderisa ndër shpjegimet është edhe ajo se “çka na duhet neve shqiptarët me ardhur në Banja Llukë”. Kur marrëveshja u nënshkrua kryetar i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, ishte anëtari i partisë së Dodik, SNSD, Zoran Tegeltija. Ministri aktual i Punëve të Jashtme i Bosnje dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq kishte thënë në rast se Kuvendi Popullor i RS e mbështet veton, “marrëveshjet e Procesit të Berlinit do të bien”.
Rënia e tyre, padyshim se është në kundërshtim me frymën e vullnetit të vendeve të Ballkanit Perëndimor për integrim në Bashkimin Evropian. Takimi i kryeministrave të Ballkanit Perëndimor i cili po mbahet në Bled të Sllovenisë, BSF2023 do të duhej të ishte thirrje jo veç nga Kosova, por parasë gjithash nga Bashkimi Evropian që respektimi i marrëveshjeve që ruajnë e fuqizojnë frymën euro-integruese të gjashtë vendeve të Ballkanit të bëhej obligim. Ndërsa veprimet e politikanëve serb të Bosnje dhe Hercegovinës që pengojnë implementimin e zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara nga Qeveria në Sarajevë të dënoheshin me masa konkrete nga BE.
Liria e lëvizjes së qytetarëve është e drejtë njerëzore dhe çdo mekanizëm që pengon atë është në kundërshtim me vlerat evropiane. Çelësi i suksesit të synimit euro-integrues për vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të jetë respektimi e implementimi i marrëveshjeve të nënshkruara. Para se gjithash kjo duhet të vlej për BiH. /TheGeopost