Shkarkimi i drejtorit për Arsim të Prizrenit, nga ana e kryetarit të Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskukës, e që përbën largimin e dytë brenda tri dite, është një tregues se qeverisja komunale, po përballet me vështirësi.
Në fakt që nga fillimi i kësaj përbërje, diç më tepër se një vjet e gjysmë ekzekutivi prizrenas katër herë ka pësuar ndryshime. Fillimisht postin e ka liruar drejtoresha e Shëndetësisë, Flaka Siqeca, për siç është thënë specializim jashtë Kosovës, ndërsa të tjerat ndodhen në harkun kohor gjatë tre mujorit të fundit, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.
Një ditë pas deklarimit të dorëheqjes së drejtorit për Ekonomi e Financa, Ertan Sitimiçi, për shkak të aktakuzës së ngritur “për keqpërdorim të pozitës zyrtare”, Haskuka njoftoi se shkarkoi edhe drejtorin e DKA-së, Gani Gërmizajn, “për shkak të parregullsive në themelimin e komisioneve për konkurse të hapura pranë kësaj drejtorie”.
Shkarkimi i Gërmizajt vjen vetëm tre muaj, pas emërimit, pasi Haskuka me kërkesë të partnerit në koalicion Nismës, largoi ish-drejtorin Skënder Susuri. Veprimet e tilla në njërin nga resorët më të rëndësishëm komunal, reflektohet negativisht në punën e mëtejmë të arsimit, sidomos tashmë kur ndodhemi në prag të fillimit të vitit të ri shkollor. Sipas informacioneve tona, në adresë të kryetarit ka pasur shumë ankesa për parregullsi rreth konkurseve, andaj nuk dihet se çfarë do të veprohet me to, nëse do të ketë anulim apo…?
Nga fillimi i procesit mësimor na ndajnë dy ditë pune, por Arsimi ka mbetur pa drejtuesin e saj.
Me sa mbajmë mend nga paslufta, një situatë e tillë nuk ka ndodhur. Për këtë duhet shikuar mundësitë që kjo gjendje sa më parë të sanohet dhe kështu të jepen sinjale, se sivjet do të fillojë një viti i mbarë shkollor, duke lënë prapa përshtypjet nga viti i kaluar, që për shkak të grevës së janarit dhe moskompenzimit të ditëve të humbura u cilësua si viti më i mbrapshtë për shkollat.
Ndërkaq, shkarkimi i befasishëm i drejtorit të Arsimit, ka sjellur një situatë të re politike, sa i përket raporteve te partnerëve të koalicionit Vetëvendosje-Nisma në Prizren, për shkak se kryetari i kësaj të fundit, Zafir Berisha për portalin “GazetaePrizrenit.net” vlerësoi se vendimi për drejtorin e DKA-së është veprim i njëanshëm, dhe se në këtë rast kryetari ka bërë shkelje flagrante të parimeve për marrëveshje të koalicionit.
Për ta shqyrtuar situatën e krijuar, sipas burimeve të sigurta, dje drejtuesit e Nisma-s në Prizren janë mbledhur të për vendosur rreth hapave të mëtejme, por qëndrimet e tyre ende nuk janë zbardhur.
Në anën tjetër, një situatë të tillë, duket se po e përcjell edhe opozita. Me reagimet në rrjete sociale të kryetarit të degës së PDK-së, Shaqir Totaj, por edhe komunikatave për shtyp si subjekt, fitohet përshtypja se tashmë ka një ritëm më të shtuar opozitar. /GazetaePrizrenit.net