26-11-2024

Liga Premiere nis sonte me United-Leicester, Mourinho i zhgënjyer

Jose Mourinho u shfaq shumë i zhgënjyer pas skadimit të afatit kalimtar në prag të fillimit të Ligës Premiere, pasi drejtuesit e Manchester United nuk blenë asnjë nga futbollistët që kërkonte portugezi.

“Djajtë e Kuq” ofruar 18 milionë paundë për Diego Godin në momentet e fundit, por uruguaiani vendosi të zgjaste bashkëpunimin me Atleticon. “The Special One” kishte paralajmëruar se skuadrën e tij e priste një sezon shumë i vështirë nëse nuk do të arrinte të ofronte të paktën edhe një futbollist cilësor. Gjatë afatit të verës United shpenzoi vetëm 75 milionë paundë për Fred, Diogo Dalot dhe Lee Grant. Gjithsesi, Mourinho duhet të gëzohet për faktin se nuk lejoi largimin e Paul Pogbasë, pavarësisht se Mino Raiola bëri presionet nga më të mundshmet që klienti i tij t’i bashkohej Barcelonës. Në lidhje me aktivizimin e mundshëm të francezit që në ndeshjen hapëse të Ligës Premiere, sonte në mbrëmje ndaj Leicester City-t, portugezi i shpreh:

“Unë mendoj se Pogba është i lumtur dhe ka shumë dëshirë për të punuar. Eshtë një nga lojtarët, me të cilët duhet të flas, për të parë se si ndihen fizikisht dhe mentalisht, sepse janë kthyer vetëm ditët e fundit. Por, është e njëjta bisedë si me Young, Fellaini, Lingard. Nëse ata mendojnë se mund të na ndihmojnë kundër Leicesterit, 20 minuta, 10 minuta, gjysmë ore…. Nuk kemi shumë zgjidhje, kemi nevojë për kontributin e të gjithë lojtarëve që tani.”

Mourinho e ka të qartë se për momentin nuk mund të rivalizojë me ekipet më të forta të Ligës Premiere. Pa përmendur emra, ai shtoi se nga nëntori dhe dhjetori do të kuptohet se cilat skuadra do të jenë pretendente. Premier League nis pikërisht këtë të premte, në orën 21:00, me Manchester United – Leicester./rtklive

 

Asnjë koment

Comments are closed.