Limaj e Bytyqi premtojnë SBASHK-un se do t’i mbështesin kërkesat e tyre
Përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës së Kosovës (SBASHK) kanë zhvilluar një takim me zëvendëskryeministrin, Fatmir Limaj dhe ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Shyqiri Bytyqi.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë për gazetën “Koha Ditore” se në takim kanë diskutuar për kërkesën e sindikatës që në projektligjin për paga koeficienti për punëtorët e arsimit të ngritët në 30 për qind.
Sipas tij, edhe Limaj edhe ministri Bytyqi ju kanë premtuar se do t’i mbështesin kërkesat e tyre por që nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete.
“Jemi dakorduar me zëvendëskryeministrin Limaj që të zhvillojmë një betejë të përbashkët për ngritjen e koeficienteve mirëpo nuk ka pasur ndonjë marrëveshje konkrete. Rekomandimet tona do t’i dërgojmë bashkë në komisionin parlamentar për administratë ku presim që atje të bëhen ndryshimet e kërkuara nga ne”, ka deklaruar Jasharaj.
Ai ka bërë të ditur se në bazë të informacioneve që i kanë deri tash, të gjitha institucionet publike arsimore duke nisur nga çerdhet e deri tek universitetet e kanë përkrahur grevën./koha.net