Limaj: S’ka më prodhime të Serbisë në Kosovë, besoni në prodhime vendore
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka folur me të rinjtë e kësaj partie duke u thënë se do mobilizim për të ndryshuar gjendjen në vend.
“Vendit më shumë se kurrë i duhet aktivizimi i përbashkët. Vendi po izolohet dhe kontestohet nga të gjitha anët. Kjo situatë duhet të na shërbejë për mobilizim dhe këmbëngulje për ta bërë shtetin tonë”, ka thënë Limaj në Prizren.
Kryetari i Nismës ka thënë se rinia e paraluftës nuk ka pasur ëndrra siç ka rinia e sotme. Ëndrra e vetme sipas tij, ka qenë liria e Kosovës. “Ajo që ne po duam si Nismë është më pas një ëndërr të përbashkët dhe ne po bëjmë thirrje rinisë së Kosovës dhe si parti do të mbështesim që përmes kësaj rinie të çoheni në këmbë dhe ta ndërtojmë një ëndërr të përbashkët atë të shtetndërtimit”, ka shtuar Limaj.
Ai u ka thënë të rinjve se jashtë vendit askush nuk i pret me lule dhe se liria e Kosovës nuk ka kuptim nëse të rinjtë ikin nga vendi.
“Jo me u largu nga Kosova, hajde ta bëjmë Kosovën bashkë. Ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Sot kemi ardhur të ju themi të rinjve që nuk u shkon fakulteti të marrin zanate të drejtohen drejt Qendrave të Aftësimit Profesional, shteti do të ju mbështes në punësim. Nuk ka punë me marrë, më mirë është të punojmë se sa të qëndrojmë kot. Mos e humbni rininë tuaj. Mos e çoni kohën kot, më mirë lexoni. Ju lus djem e vajza, mos rrini kot. Nëse nuk ju pëlqen pushtetin ndryshoni, por shtetin mos e shani. Kosova ka potencial dhe resurse jo për këta banore, por dyfishin me i mbajte nëse punojmë. Nëse ngritët në këmbe rinia e Kosovës jam i bindur që për pesë vite, Kosova do të jetë vendi më i zhvilluar në rajon”, ka theksuar Limaj.
Ai ka thënë se fjalimi i tij me të rinjtë nuk është politikë, por prindëror e qytetarë.
Limaj ka folur edhe për vendosjen e taksës së Qeverisë prej 100 % për produktet serbe e boshnjake. Këto masa, sipas tij, janë për t’i shërbyer ekonomisë së Kosovës. Ai iu ka bëre apel zejtarëve dhe ekonomisë së Prizrenit që të mos luajnë më çmime. Shteti, sipas tij, nuk do t’i lejoje të spekulojnë.
“Ne po bëjmë luftë me mbrojte interesat e shtetit. Apeli im është bashkë. Shteti numër një pastaj, interesat e tyre. Kjo është mbi të gjitha për dinjitetin e shtetit të Kosovës. 24 orë Serbia angazhohet në rrënimin e shtetit të Kosovës dhe vjen këtu bën biznes kjo nuk do të lejohet. Është momenti i fundit me u sjellë si shtet. S’ka ma prodhime të Serbisë në vend ‘Kosovë e Metohi’, ‘Prishtina’, ‘rezoluta 1244’ dhe emërtime tjera. Ka marrë fund ajo kohë. Kosova ka emër, pikë. Besoni në prodhime vendore. Besoni në shtetin tuaj”, ka përfunduar Limaj./koha.net