Limaj: Vetëvendosje dhe Rashiq kanë bërë pazare mes vete
Kryetari i NISMA-s Socialdemokrate Fatmir Limaj, ka thënë se pavarësisht se Vetëvendosje si parti fituese një javë më përpara i kishte konsideruar si të parregullta votat e ardhura nga Serbia, e njëjta ndërron qëndrim.
“Ka parti që ka një qëndrim zyrtar të partisë ku i cilëson të parregullta e kontrabandë pakot e ardhura nga Serbia dhe brenda javës e njëjta parti kërkon nga Gjykata Supreme zyrtarisht me i pranu ato pako si të rregullta “.
Limaj shtoi se VV e fton për ndihmë një zyrtar serb i cili poashtu publikisht kishte deklaruar se këto vota falsifikohen.
“Në të njëjtën situatë e thërret në ndihmë edhe një përfaqësues serb, i cili para tre dite tha publikisht në TV se ato “vota” grumbullohen, mbushen e falsifikohen në Nish dhe ky përfaqësues tash i kërkon Gjykatës me i pranu të njëjtat si vota të vlefshme. Me një fjalë, LVV e Rashiqi po i kërkojnë Gjykatës Supreme të vendos në favorin e tyre, jo se ato janë të rregullta dhe e dinë që janë të falsifikuara, por i duhen se i grabitin tre mandate dhe përmbushin pazarin që kanë bërë me Rashiqin “.
Ai u shpreh se VV e Rashiq nuk janë të shqetësuar për të drejtën dhe ligjin.
“Besoj fort që Gjykata Supreme tanimë e ka të qartë se ata që janë ankuar nuk janë aspak të shqetësuar për ligj e as për drejtën e qytetarëve “.
“Po ashtu, me qëndrim publik kanë treguar se edhe për ta ato vota janë të parregullta dhe se ankesa e tyre është më tepër kërkesë për me shkel ligjin dhe me ju përmbushë apetitet e pazaret në dëm të të tjerëve e në kundërshtim me ligjin “./Klan Kosova