25-11-2024

Lind gruaja e infektuar me koronavirus nga Prizreni, priten rezultatet për foshnjën

Në Klinikën Gjinekologjike po trajtohet një grua e cila ka rezultuar pozitiv në testin për Covid-19. Pacientja nga regjioni i Prizrenit ka përfunduar lindjen mbrëmë, derisa gjatë ditës pritet rezultati për foshnjën. Ndërkohë, që është edhe një paciente tjetër e dyshuar me koronavirus, për të cilën do të dalin rezultatet gjatë ditës.

Vetëm mbrëmë në këtë klinikë kanë lindur 39 foshnje, ndërkohë që gjatë së premtes kanë qenë të shtrira 220 paciente. Drejtori i kësaj klinike u bëri thirrje spitaleve regjionale që të mos ngarkojnë këtë klinikë, sepse, sipas tij, ditëve të fundit është stërngarkuar.

Jakup Ismajli në një intervistë për KosovaPress thotë se ditëve të fundit është shtuar numri i pacientëve të cilët po kërkojnë trajtim në Klinikën Gjinekologjike.

“Për momentin e kemi një paciente e cila dje e ka përfunduar lindjen. Është me COVID-19 pozitiv. Ka lindur një fëmijë të shëndoshë. Sot i është marrë testi bebes që të vërtetohet nëse është edhe bebja e infektuar. Pacientja është nga regjioni i Prizrenit dhe është në gjendje stabile, do të thotë është me parametra vital”, thotë Ismajli.

Në rast se foshnja rezulton negativ, Ismajli shton se sot do të lirohet edhe pacientja nga Prizreni, e cila duhet të vetëizolohet për dy javë.

Veç tjerash, ai thekson se sot është testuar edhe një paciente tjetër, ndërkohë që javën e kaluar janë trajtuar tri paciente me koronavirus.

Për katër muaj në Kosovë janë konfirmuar 3064 raste me koronavirus, prej tyre 1707 janë shëruar, ndërsa 55 kanë vdekur.

Asnjë koment

Comments are closed.