24-11-2024

Linja hekurudhore Prishtinë-Prizren nuk qarkullon nga viti 2000

Nga udhëtimi me tren për në Prizren ka mbetur vetëm kjo këngë.

Që nga viti 2000 asnjë tren nuk ka qarkulluar më në linjën hekurudhore Prishtinë-Prizren.

Prej pasluftës asnjë udhëtar e asnjë mall nuk është transportuar me tren ndërmjet këtyre dy qyteteve.

E jo vetëm kjo linjë ka mbetur e pashfrytëzueshme.

Janë edhe linjat Prishtinë-Gracanice, Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Magure dhe Prishtinë-Podujevë që nuk janë funksionale.

Kurse çdo ditë në Kosovë qarkullon treni lokal nga Peja në Prishtinë dhe anasjelltas.

Hekurudhat e Kosovës kanë një linjë të rregullt në aspektin e transportit ndërkombëtar. Treni i quajtur tren i shpejtë udhëton çdo ditë, një herë brenda 24 orëve në relacionin Prishtinë-Shkup dhe anasjelltas.

Infrastruktura hekurudhore, ndër vite është përballur me telashe të shumta, duke u nisur nga mungesat esenciale.

Jo vetëm që ka pasur mungesë investimesh në hekurudhat e vendit, por edhe mirëmbajtja nuk ka qenë e kënaqshme.

Vjetërsia e binarëve, vagonëve, lokomotivave, ndërtesave të stacioneve, mungesa e sinjalizuesve kanë shkaktuar vështirësi në qarkullimin e linjave ekzistuese funksionale.

E përgjegjëse për infrastrukturën hekurudhore sipas Ligjit është ndërmarrja publike Infrakos. Kurse operimet e trenave menaxhohen nga ndërmarrja Trainkos.

Viteve të fundit, të dy këto kompani janë shoqëruar me kriza financiare.

Madje më shumë se në një rast, punëtorët e tyre kanë mbetur edhe pa paga.

Ndërkohë, ekziston tashmë një projekt në vlerë prej 209 milionë eurosh për rikonstruktimin e linjave hekurudhore e i cili ka nisur të zbatohet në fillim të vitit të kaluar.

Ky projekt është i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe faza e parë e tij ka nisur të zbatohet në linjën Prishtinë-Han i Elezit.

Autoritetet në Kosovë janë në përgatitjeje të procedurave për fillimin e rikonstruktimit të linjave hekurudhore, projekt ky i financuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe nga Qeveria e Kosovës.

Asnjë koment

Comments are closed.