Liria humb ndaj Ballkanit 0:1
Liria e Prizrenit pësoi humbje si nikoqire ndaj Ballkanit të Suharekës 0:1, në ndeshjen e parë të këtij kampionati që sapo përfundoi në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.
Golin e fitores për suharekasit në minutën e 4 të lojës shtesë apo të fundit të ndeshjes e ka shënuar sulmuesi i ardhur nga Maqedonia, Borche Manevski. Qëndrim Gashi i Lirisë, paraprakisht huqi një rast ideal, kur u gjet përball Ruxhit, por që nuk arriti të shënoi.
Pjesa e parë përfundoi baras 0:0. Ndeshjen e përcollën mbi 2.500 shikues.
Ky konsiderohet si derbi lokal në kuadër të këtij edicioni të IPKO Superligës së Kosovës, në të cilën u takuan dy ekipet e rajonit të Prizrenit.
Derisa Liria e nisi me humbje, për Ballkanin ndonëse me rezultat minimal, kjo është fitore mjaft e rëndësishme, kur dihet se ekipi rikthehet pas 8 vjetësh në këtë rang garash.
Përfaqësuesit e klubit pas ndeshjes deklaruan se puna dhe angazhimi disa mujor, rezultoi me fitore në ndeshjen e parë debutuese.
Loja, qe fer e korrekte, si në fushë dhe me sjellje shembullore në tribuna, nga dy tifozëritë. Te Liria munguan Valon Bytyqi, shkaku i kartonëve, Ibrahim Walidjo, shkaku i vonesës për licencim dhe Blendi Memaj, shkaku i lëndimit./GazetaePrizrenit.net/.