24-11-2024

Liria pëson disfatë në Mitrovicë, pakëson gjasat të mbetet në Superligë

Liria e Prizrenit humbi sot në Mitrovicë nga Trepça ’89, me rezultat 2:1, transmeton “Gazeta e Prizrenit”.

Disfata e Lirisë në stadiumin “Riza Lushta” ka zhytur edhe më thellë prizrenasit në zonën e rrezikshme, ndërsa tashmë mund të thuhet se gati me të dy këmbët janë në një rang më të ultë të garave.

Golashënues:  Orges Gava (10’) dhe Manaj (62’) për Trepça ’89, ndërsa, për Lirinë shënoi realizoi Blendi Memaj (39’).

Hiq barazimin e javës së kaluar, prizrenasit tashmë disa ndeshje kanë humbur, dhe rezultatet e tilla nuk japin shpresë për ndonjë kthesë pozitive, që do ta shpëtonte klubin me traditë nga më e keqja.

Liria tashmë ndodhet në pozitën e parafundit me vetëm 25 pikë të tubuara, apo 7 më pak se Flamurtari, që është para saj në vendin e 10-të, por ka një ndeshje më pak.

Në anën tjetër, Trepça ’89 arkëtoi tri pikë të mëdha në garën për t’i ikur barazhit. Pikët e sotme ata i vlerësuan si pikët e qetësisë, meqenëse pas tyre mitrovicasit ngjiten në pozitën e pestë me 39 pikë. /GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.