Lirohen nga paraburgimi tre të miturit e përfshirë në dhunimin e 11-vjeçares në Prishtinë
Gjykata Supreme i ka liruar nga paraburgimi tre të mitur, të cilët dyshohen se e kanë dhunuar seksualisht një vajzë të mitur 11-vjeçare në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” Antigona Uka – Lutfiu, zëdhënëse e Gjykatës Supreme të Kosovës.
“Gjykata Supreme, në rastin në fjalë, tre të miturve, ua ka ndërprerë masën e paraburgimit, deri në plotfuqishmërinë e vendimit, bazuar në dispozitat e Kodit për të mitur, sipas të cilave, i mituri nuk mund të qëndrojë në paraburgim më shumë se 180 ditë”, ka thënë Uka-Lutfiu.
Vendimi për ndërprerjen e masës së paraburgimit ndaj G.R., G.J. dhe Xh.S,. është marrë të mërkurën.
Ndryshe, numri i arrestimeve për dyshimet për dhunim të 11-vjeçares në muajin qershor dhe gusht të vitit të kaluar, kishte shkuar në 12.
Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar me 40 vjet burg katër të akuzuarit, tre prej tyre të mitur, në rastin e dhunimit të 11-vjeçares në gusht të vitit 2022 në Prishtinë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë në janar të këtij viti kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj pesë të dyshuarve lidhur me dhunimin e 11-vjeçares.
Mirëpo, Apeli kishte aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, duke anuluar vendimin e Themelores dhe çështjen e kishte kthyer në rivendosje.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për të Mitur, pas zhvillimit të hetimeve dhe zgjerimit të tyre, mbledhjes dhe analizimit të provave, më 8 dhjetor 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj pesë personave: E.R. dhe Sh.K., (madhor), si dhe ndaj tre të miturve, të përfshirë në rastin i cili ka ndodhur në muajin gusht të vitit 2022, ndaj 11-vjeçares./BetimipërDrejtësi