Lirohet nga akuza ish-drejtori i administratës në Prizren
Shpallja e aktgjykimit, u bë të mërkurën nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Ajser Skenderi, raporton “Betimi për Drejtësi.
Gjykatësja Skenderi, tha se për të akuzuarin Baldedaj merr aktgjykim lirues, pasi që me asnjë provë nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.
Tutje, ajo tha se për rastin konkret nuk është kontestuese se i akuzuari Baldedaj ka parashtruar kërkesë për projektin “Furnizim me softwer digjital” dhe për projektin “Arhiva elektronike”.
Po ashtu, ajo tha se nga deklarata e dëshmitarëve është vërtetuar se në vitin 2016 dhe 2017 jo vetëm Komuna e Prizenit po asnjë institucion qendror dhe asnjë institucion lokal nuk kanë bërë kërkesë për miratimin e projekteve në Agjencionin për Shoqërinë e Informacionit.
Gjithashtu, gjykatësja Skenderi tha se te i akuzuari Baldedaj ka munguar edhe dashja në veprimet e tij.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh.
Ndryshe, sipas pikës një të aktakuzës, thuhet se prej muajit mars, e deri në fund të vitit 2016, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.
Tutje, në aktin akuzues thuhet se i akuzuarit Baldedaj ka vepruar në atë mënyrë që pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, e pikërisht pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, e cila është kompetente për shqyrtimin e kërkesave, propozimin, buxhetin për realizimin e kërkesës dhe implementimin e kërkesës, brenda periudhës kohore të cekur më lartë, paraqet kërkesë për shpalljen e tenderit për projektin “Furnizim me Softwer digjital për shërbimin e qytetarëve të Prizrenit”.
Aktakuza thotë se vlera e tenderit ka qenë 24 mijë e 735 euro, edhe pse ky projekt nuk ka qenë i planifikuar me buxhetin e vitit 2016, duke mos respektuar procedurat e parapara me Ligjin nr. 04/L-145, për organet qeveritare për Shoqërinë e Informacionit, përkatësisht paragrafin 4 dhe 5 të nenit 8 të këtij ligji, me të cilin përcaktohen kushtet e bërjes së investimeve në fushën e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, projekt ky që prej ditës së implementimit nuk është funksional, me ç’rast Komunës së Prizrenit i shkakton dëm në shumën prej 28 mijë euro.
Në pikën dy të aktakuzës thuhet se gjatë vitit 2017, në Prizren, i akuzuari Baldedaj, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar – drejtor i Administratës së Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personin tjetër OE-PBC – SHPK nga Prishtina, njëkohësisht duke i shkaktuar dëm Komunës së Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij të përcaktuara me ligj.
Kështu që në atë mënyrë, aktakuza thotë se duke ditur se ekziston Arkiva Qendrore, pa kërkuar leje paraprake nga organet qendrore shtetërore, e pikërisht pa parashtruar kërkesë në Ministrinë e Administratës Publike – Agjencia për Shoqërinë e Informacionit, paraqet kërkesën për shpalljen e tenderit për projektin “Arkiva Elektronike”.
Në akzakuzë thuhet se vlera e këtij projekti ka qenë 72 mijë e 898 euro e 98 centë, duke mos respektuar procedurat e Ligjit nr. 04/L 145, projekt ky jofunksional që nga dita e implementimit, me ç’rast Komunës së Prizrenit i shkaktohet dëm në vlerën prej 72 mijë e 898 euro e 98 centë, ku shuma e përgjithshme e dëmit të shkaktuar është 100 mijë e 898 euro e 98 centë.
Me këto veprime, Ilir Baldedaj akuzohej se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.