10-07-2025

Lirohet për qarkullim rruga në drejtim të Maqedonisë së Veriut

Rruga në drejtim të Maqedonisë së Veriut është liruar për qarkullimin e të gjitha automjeteve, përfshirë kamionët, njoftoi Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.

“Ju njoftojmë se është liruar rruga për qarkullim të gjithë kamionëve në drejtim të RMV-së”, u njoftua përmes një postimi në Facebook.

Njoftimi i fundit vjen të enjten në mëngjes, pasi të mërkurën vonë Qendra njoftoi se është hapur kufiri në PKK Hani i Elezit për qarkullim në hyrje – dalje për të gjitha automjetet por kishte mbetur i mbyllur qarkullimi për automjete dhe bartjen e mallrave në Terminalin Doganor.

Rruga Shkup-Han i Elezit ishte bllokuar për të gjitha automjetet, për shkak të zjarrit në afërsi të tunelit në Maqedoni të Veriut, njoftoi të mërkurën Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar.

Ndërkaq në Kosovë, rreth 300 raste zjarresh janë regjistruar vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, si pasojë e temperaturave të larta që kanë përfshirë vendin.

Drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, Genc Metaj, tha se gjatë kësaj periudhe ekipet kanë ndërhyrë në 295 raste zjarresh nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

Në konferencën e thirrur për media të mërkurën, Metaj tha se dita më e rënduar ka qenë 7 korriku, kur janë shënuar gjithsej 66 raste të zjarreve, prej të cilave 57 kanë ndodhur pasdite.

Asnjë koment

Comments are closed.