23-11-2024

Lulja dhe Paulini rrëfejnë kujtimet me babain e tyre, shkrimtarin nga Hasi, Anton Pashku

Arbër Selmani

Çdo kujtim që lidhet me babain e tyre, Lulja dhe Paulini e sjellin në mënyrën më letrare, të edukuar prej kësaj figure prindërore.

Lulja e ka këtë emër sepse gjyshja e saj, nëna e nënës, e ka pasur këtë emër, ndërsa Paulini mban emrin Paulin – gati njëjtë sikur nëna e tij – Paulina.

Lulja, sot një juriste dhe Paulini një prokuror, janë fëmijët e Anton Pashkut dhe Paulinë Pashkut.

Dy njerëz tek të cilët vërehet i njëjti nur sikur i Anton Pashkut – një prej shkrimtarëve më të mirë që ka njohur gjuha shqipe, e vazhdon ta njohë e ta zbulojë sot. Se sa i pazbuluar e shpesh i ashiqarshëm ka qenë Anton Pashku, fëmijët e tij ulen në tryezë me mua dhe tregojnë kujtimet më të mira, të cilat padyshim i lënë në harresën e momentit të tjera çaste të një dite normale jetësore që nis me një shkrimtar dhe përfundon me po të njëjtin.

Anton Pashku

“Si fëmijë, e kam pasë gjithmonë në qef kitarën. Pata fillu me mbledhë pare, me kursy, për me e ble këtë kitarë që e pashë. Unë i tregova babës që po kursej për me ble një kitarë dhe si duke tai ka shku dhe e ka kqyrë sa kushton kitara. Më vonë ai vjen edhe më thotë se po i vyn disa pare borxh – më tha që mi kthen. Shkova i morra unë paratë që i kisha kursy edhe më tha – kadale se duhet një marrëveshje që unë me ti kthy paret, që ti me qenë ma e sigurtë. Kjo ka qenë edhe kontrata e parë në jeten teme, ai e shkruajti në letër: Anton Pashku – po i marr prej vajzës teme kaq pare dhe i kthej në filan datë. Mas 2-3 ditve edhe mi kthej paret aq sa mi kish marrë – si shenjë falenderimi që e kom ndihmu mi dha edhe të tjera dhuratë, e ato mjaftonin për me e ble unë kitarëtn. Atë pasdite shkum dhe e murrëm kitaren, kitaren e bardhë e cila hala ekziston por osht e damtume, nuk funksionon”.

Lule Pashku me kitarën, nga albumi familjar

Lule Pashku, vajza e Anton Pashkut, kërcen prej tregimi në tregim sikur nuk gjen prehje kur flet për Antonin. Ajo e kujton babain e saj si njeri shumë të dashur, i cili ka zgjedhur të tilla mënyrë për të depërtuar në diapazonin e fildishtë e simpatik të fëmijëve të tij. Një baba stimulues, në një stil të tillë që ndoshta nuk ka qenë gjithmonë direkt, por edukativ, me mënyra zbavitëse dhe interesante për të marrë mirëkuptimin e fëmijëve.

Lulja është më e vogël se Paulini. Paulini këtë gusht i mbushë 48 vjeç. Ndoshta një ose dy vite para se ai të lindte, çifti pati një fëmijë i cili vdiq në lindje. Ai do të ishte Gëzimi. Mjekët i thanë Paulinës se ajo nuk do të mund të bënte fëmijë, sepse ekzistonte rreziku se do të vdiste. Gruaja e bukur e cila do të punonte si kontabiliste në Bashkësinë Kulturore Arsimore të Krahinës në Prishtinë ishte plot vetbesim se ishte mirë e shëndetshëm për të pasur fëmijë, sado që Antoni i kishte premtuar dashuri edhe nëse nuk do të kishin asnjë fëmijë.

Në shenjë dashurie dhe mirënjohje ndaj insistimit të saj, Antoni e pagëzon djalin e parë me emrin e saj, Paulin.

“Si duket ky fëmijë ka qenë i lëndum, ashtu si duket qëllimisht e kanë bo mjekët, dhe për me e shpërla veten i thojnë prindërve që nana smundet me lindë. Baba pajtohet dhe thotë se do të vazhdojnë dashurinë. Mama insiston sepse e ka ditë që osht mirë, dhe më pas lind Paulini, edhepse atëherë kishin mendu që ka rrezik që nana me vdekë e fëmiju pshton” tregon Lulja. Ai që do të vazhdonte të duronte valët e jetës në heshtjen e librave të tij e dorëshkrimeve fletafleta, do të mbetej shkrimtari ynë – Anton Pashku.

Nga albumi familjar, Lule Pashku

N’çast ndjeu nji plogshti të madhe që ia përshkoi tan trupin. Çdo gja i dukej e çuditshme, madje edhe vetvehtja. Kurr nuk e kishte tradhtue fuqija si kësaj radhe. Nji lodhje e madhe e kaploi, tue fillue prej qepallave të syve e deri te gishtat e dorës, që i dridhesin bashkë me gotën. Ndjeu nevojën me u çue dhe me ikë prej atij vendi, por mendimi se kur t’eci do të duket qesharak, e pengoi, krenarija e tij nuk e la. Ajo e bani me u ulë edhe nji herë në karrike. Ndezi nji cigare dhe filloi me shikue i lodhun fjollat e tymit.
(ANTON PASHKU)

Anton Pashku, djali i Tonë Pashkut dhe nipi i Pashkë Bytyçit, vjen në jetë në Grazhdanik afër Prizrenit. Tërë jetën, siç tregon sot djali i tij Paulini, ai nuk ka pasur lidhje emocionale me Grazhdanikun. Ky vend asokohe ka qenë i vetmi afër Prizrenit ku ka pasur një mami, dhe kur ka ardhë koha e lindjes, aty ka lindur shkrimtari. Antoni e ka përmendur më së paku këtë pjesë, meqë rrënjët e tij ishin në anë tjera.

Familja e Antonit ka qenë nga Bujani, Malësia e Gjakovës, nga fshati Bytyç. Kah fundi i shekullit 19 familja kanë kalu në pjesën e Hasit në Zym. Kështu së paku e kujton Paulini, i cili mund ti numërojë deri në 14 breza të familjes, me emrat që përsëriten: Ndreka ka qenë i pari, më pas Preka, Gjoni, Pjetri, Nikolla, Antoni.

Shkrimtari i lindur në vitin 1937, i cili më vonë do të ishte dora pas “Sinkopa”, “Oh”, “Gof”, “Lutjet e mbrëmjes”, “Kulla”, shpesh ka pasur probleme me emrin e tij.

“Gjyshi kish pas shku kur kanë dashtë me pagëzu Antonin, tek Zoja Ndihmëtare në Prizren. Aty prift ka qenë njëfarë Don Rroku, i cili kur e ka pa emrin Anton ka thënë se ky fëmijë duhet me u pagëzu me emrin Ndue – që është versioni i emrit Anton në shqip. Mas shtatë ditëve Antonin baba i vet e ka regjistru në Komunë me emrin që e ka dashtë vet – Anton. Në Prizren thojnë se ka ndodhë njëherë një vërshim shumë i madh, dhe për pjesën katolike regjistruar kanë qenë në Kishën Katolike. Aty shumë njerëzve u janë paraqitë edhe emra të dyfishtë. Mamës, e cila në dokumente ka qenë Paulinë, prifti e ka regjistru si Palinë” tregon Lule Pashku.

Paulina Pashku, nëna e ndjerë e Paulinit e Lules

Ata që nuk e kanë lexuar Anton Pashkun, kanë gabuar. Dora e këtij njeriu ka shkruar edhe tregimet ‘Në stuhi’ apo ‘Klithma’, botuar në vitin 1957. Me tregime ai vazhdon gjatë tërë jetës, shpesh të përmbledhura e shpesh të shpërndara.

Antoni kishte të kryer shkollimin e mesëm – Gjimnazin real në Prishtinë. Gjithë kohën punoi në Rilindje, njëherë gazetar, mandej redaktor i rubrikës së kulturës e në njëzet vjetët e fundit, redaktor në Shtëpinë Botuese Rilindja.

Anton Pashku dhe Teki Dervishi / nga albumi familjar

Fëmija i parë është gjithmonë gëzim, edhe shpesh lazdrim.

“Unë e kom pasë një përshtypje që si fëmijë, prindërit kanë kqyrë me çdo kusht edhe me m`lazdru, ndoshta për atë edhe s’jom lazdru. Andërr nëse kom pa diçka, baba ka shku dhe e ka gjetë. Gjithmonë i kom dashtë anijet, marinarët, kapelat, me ja përmendë –çka kisha pasë qef me pas një kapuq të marinarëve, ai veç e ka pru menjëherë” tregon Paulini.

Paulin Pashku para shumë vitesh, nga albumi familjar

“Mama më ka tregu, thoshte kur vijsha në shpi, vijsha në të njëjtën kohë me Antonin, dhe kur i kqyrshim masditeve senet që i kemi ble dhurata, i kena ble të njejtat lodra për Paulinin” e vazhdon rrëfimin motra e Paulinit, Lulja.

Paulini, i cili vdekjen e të dy prindërve e ka përjetuar rëndë dhe larg Kosovës, kujton se fotografitë e tij me babën Anton janë gjithmonë kështu: Antoni e mban në qafë Paulinin, një mani e bukur e fotografive dikur, kur pindërit luanin me fëmijët dhe fotografoheshin në këto çaste lumturie.

Paulini është e treta gjeneratë me të vetmin djalë në familje. Ai është i vetmi djalë, Anton Pashku ka qenë i vetmi djalë dhe gjyshi i Paulinit, Toni bukëpjekës por i flaktë pas librave, i vetmi djalë në familje.

“Mas vdekjes së gjyshes Lule, mas lindjes së motrës time Lules, nana osht smu. Unë e mbaj në mend këtë periudhë, baba ka qenë shumë i shqetësum dhe kanë qenë momente kur e ka tregu anën e keqe të tij. Në një anë ka punu, në anën tjetër nana në Beograd, kjo ka qenë periudha e parë dhe e vetmja kur babën e kam pa të mrrolun edhe tu e ngritë zanin. Kuptohet që me kalimin e viteve i kom kuptu gjanat ma mirë, atëherë osht dasht me qenë 4-5 vjeçar” tregon Paulini.

“Jam hasjan. Nuk kam lindur në Has, mirëpo të gjithë, babai, nëna, kushërinjtë, i gjithë farefisi vjen prej atje. Jemi nga Karashëngjergji, një fshat i rrethit të Prizrenit. Aty është i varrosur Shtjefën Gjeçovi. Epo unë s’e përjetova fare Karashëngjergjin.

Kam lindur në Grazhdanik, fshat tre-katër kilometra larg qytetit të Prizrenit, në drejtim të Nashecit. Interesante është se sot vështirë do të më njihnin atje. Gati kurrë se vizitova Grazhdanikun, pas lindjes.
Bile dyshoj se do të më lejojnë të varrosem atje, kur të vdes…?! Sidoqoftë, sipas dokumentit kishtar jam lindur më 1 janar 1937-shit, kurse sipas atij zyrtar-më 3 janar 1937. Mbiemrin Pashku e kam prej gjyshit. Ai quhej Pashk. Përndryshe familja ime u takon Bytyçëve (fis i Thaçit), që banonim përtej Pashtrikut, përmbi Gjakovë. Edhe sot, ai vend quhet Bytyç-Bujani dhe fshatrat përreth….

Ato janë brenda rajonit të Bytyçit. Me të ardhur në Karashëngjergj, të parët e mi themeluan fshatin e vet-të Bytyçëve. Ndërrimi i mbiemrave filloi pas 45-it. Ku ta di pse, ishte dekret zyrtar…I bërë nëpër zyrat e pasluftës.”
(ANTON PASHKU)

“Antoni ka qenë shumë i lidhur me mamën, e ka pasë shoqe, se njëherë kanë pasë shoqni e më pas janë martu. Në Prizren kanë qenë së bashku në shkollë, ndërsa baba ka ardhë shumë ma herët në Prishtinë, rreth 15 vjet para familjes së mamës. Baba osht shoqnu edhe me dajën tem, e ka pasë shok. Nana e ka pasë mbiemrin e vajzërisë Mita. Kanë tregu që kur osht smu nana edhe ka shku në Beograd, baba kish pas vujt shumë, ka vujt derisa osht kthy nana shnosh në shpi. Fatin e keq e patën që prapë u smujtën kur isha në klasën e tetë, prapë në spital në të njëjtën kohë. Fati i mirë që u kthyn prapë shëndetshëm, dhe shpëtuan. Ka qenë kënaqësi me i pa bashkë, masditet i kanë kalu bashkë, kanë folë tema të ndryshme” tregon Lulja, por biseda asnjëherë nuk është e njëtrajtshme meqë të dyve u ngacmohet thellësia e kujtimeve dhe dëshirojnë t`i ndajnë ato edhe me mua.

“Në mramje, ka lujt shah me mu. Prej Antonit kam fitu tri pasione: shahun, Gërmimë dhe detin. Kemi shku në Gërmi e në Badovc, dilshim veç unë e baba. Shëtitshim, më çojke nëpër rrugica të cilat si duket i ka njoftë mirë. Ka qenë notar i mirë” e vazhdon kujtimin Paulini.

Anton Pashku nuk ka qenë një prind tradicional i kohës. E ka kërkuar mendimin e të tjerëve, ka respektuar mendimet ndryshe, aspak imponues. Është rritur në një familje tradicionale, 6-7 muajsh ishte kur shkoi të jetonte në Prizren. Baba i tij sakrifikoi shumë, njëjtë edhe gjyshi.

“Baba kështu ma ka përshkru gjyshin e tij: ai nuk ka qenë i shkollum, ka qenë autodidakt, ka pasë dëshirë me lexu. Baba m’ka tregu që gjyshi i tij i ka pru libra prej Shqipnisë edhe pse ska ditë nashta as me lexu. Ai osht gëzu shumë kur i ka lindë ky nip, dhe prej këtij njeriu e këtij gëzimi ka ndrru mbiemri i familjes, në Pashku, e kjo ka ndodhë mas 45-tës. Ky njeri, qysh tregonte baba, ka pru një deng libra që vetë s`dijke me i lexu, i rujke librat e i mbledhke” tregon Paulini. Për Pashkun, thotë se ku ka shkuar ka blerë libra. Pashku ka qenë edhe në çetën e Bajram Currit.

Për etjen intelektuale të Antonit, Paulini thotë se me vetëdije kjo ka ndodhur ndoshta krejt shkaku i gjyshit, Pashkë Bytyçit. Falë tij Antoni e krijoi personalitetin e tij, aspak të kopjuar.

Anton Pashku, shkrimtari i shqiptarëve, do të shoqërohej me shumë njerëz intelektualë të kohës. Mes tyre, Antoni zgjodhi Ali Podrimën, ndërsa gruaja e Antonit zgjodhi shoqe të mirë Fitoren – gruan e Aliut.

“Shkrimtarin Ali Podrimja unë e kam kumar, ai mi ka pre flokët i pari. Me Lumin, djalin e tij, kemi pasë shumë shoqëri. Lumin e maj n`men si shokun e parë të fëmijërisë, si moshatarë jemi kon, pasi Dreni e Donika kanë qenë më të mëdhenj.  Jom kon i prekun kur ka ndërru jetë, në atë kohë rrallë ka ndodhë që ndonjë fëmijë me ndërru jetë. Baba me axhën Ali kanë nejtë shumë, njëjtë edhe mama me tezen Fitore. Atëherë ka ekzistu një kllapë e njerëzve kësisoj. Jemi shoqnu edhe me familjen e Azem Shkrelit dhe të tjerëve që kanë jetu në lagjen Ulpiana e cila atë kohë ka qenë e banuar me shumë intelektualë të kohës” tregojnë herë Paulini e herë Lulja, duke plotësuar hapësirën e fjalëve mes tyre që dukshëm çon drejt të njëjtit destinacion – kryefjalës Anton Pashku.

*

Shkrimtari e ka ditur frëngjishten, serbo-kroatishten dhe e ka kuptuar turqishten. I ka ndihmuar njerëzit në gjithçka, ka dashur ti ngritë njerëzit më lart.

Paulina Pashku, gruaja e Anton Pashkut

Anton Pashku nuk është pajisur asnjëherë me pasaportë jugosllave. Nuk ka udhëtuar shumë, tregojnë Paulini dhe Lulja. Si fëmijë, Paulini e kujton udhëtimin e Antonit në Grac të Austrisë, gjatë Luftës së Dytë Botërore, me dajën e nanës i cili ka qenë tregtar i kohës.

Antoni ka punuar si gazetar në faqet e kulturës në Rilindje, prandaj ka udhëtuar në tërrë teritorin e ish Jugosllavisë, prej panaireve të librit e deri te festivali i filmit në Pula të Kroacisë. Nuk është ekspozuar shumë, gjithmonë një njeri modest, gjithmonë i kujdesshëm, familjar.

“Unë e pata gjetë një dokument ku autoritetet e kohës lypshin sqarim se a është Antoni i Kosovës apo i Serbisë, por ai nënshtetësinë nuk e ka marrë asnjëherë. E ka shfrytëzu kaosin politik që mos me shku kurrë me u regjistru, por dokumentet kryesore i ka pasë në Kishë e jo në Komunë” tregojnë Lulja e Paulin Pashku, fëmijët e shkrimtarit Anton Pashku.

Paulini tregon se kur ai vendosi të bëhej prokuror, Antoni e kishte përkrahur, me një këshillë pas vetes.

“Nëse e ki për shoqni, rri ma mirë aty ku je. Këtë e tha sepse atëherë jon bo zgjedhjet në baza shoqnore. Ai nisi me u bo kureshtar, e unë i thashë se shokt po dojn me nejtë në medicinë. Dy vitet e para të shkollës së mesme i kom kry në shkollën e medicinës, më pas në shkollën e ekonomisë, ishte sistemi i shumarit” tregon Paulini.

Dy fëmijët e Antonit tregojnë se shkrimtari ka qenë njeri i besimit, njeri që nuk ka ditur keq, burrë i dashur me të cilin Lulja ka shëtitur vikendeve. Antoni ka qenë një dëgjues i mirë, edhe për një vajzë e djalë të vogël me imagjinatë të çuditshme. Paulinës, gruas, Antoni ja ka mbajtur pallton, ja ka hapur derën, të ka ndihmuar me e shprazë pijen, ka qenë plot respekt, tregojnë fëmijët.

“E ka pasur patriotizmin e vërtetë, ka qenë atdhedashës, ka punuar për vendin dhe krejt jetën e vet e ka sakrifikuar për ideal. Nuk mund të mbetet në heshtje një njeri kaq i madh. Ai nuk ka kqyrë me e materializu punën e tij, bajagi i shplum në atë kohë, osht ditë çka ka dashtë me thonë dhe kundër kujt ka shkru” tregon Lulja, kur unë e pyes për ndjenjën që sot e ka për Antonin.

“I kujtoj çdo ditë. Kur qohna në mëngjes më mungojnë prindërit, babai ka qenë familjar dhe kur ka punu nuk ka pas qef me dalë shumë. Baba ka qenë i shpisë, ka kalu kohë me neve ma shumë se me tjerët. I gjejsha në mëngjes mamën e babën tuj pi kafe, ndërsa në drekë e darkë i kujtoj me biseda. Antoni e ka pasë darkën në ora 7, shumë vonë s’ka pas qef më hangër” tregon Lulja.

Anton Pashku ndërron jetë me 31 tetor 1995. Varroset me 1 nëntor, datë kjo që në katolicizëm nënkupton Ditën e Gjithëshenjtit – Festa e të gjithë shpirtrave. Shpirti dhe trupi i tij sot pushojnë në Karashëngjergj – në fshatin e gjyshit në Prizren. Shkrimtari ka qenë i diagnostifikuar me stadin e parë të kancerit por ka vekur nga një sulm akut në tru.

Paulini, i pari gëzim i trembur i çiftit Anton Pashku dhe Paulinë Pashku, do të ishte larg gjatë kësaj vdekjeje në Antonit.

“Kam qenë deserter i luftës në Kroaci. E kom përjetu vështirë, si 24 vjeçar kur ka ndërru jetë baba”.

Familja jeton për shumë kohë në Prishtinë, së pari në Ulpianë e më pas që nga viti 1977 në Dardani. Në Dardani, tri herë thehet banesa e familjes, dhe epiqendra – siç thotë Paulini, janë pjesa e librave të Antonit dhe dokumentat personale. Antoni, tregojnë se ka shkruar më shumë natën, në qetësinë e krijuar. Ai gjithashtu shfrytëzonte kohën kur familja gjendej me pushime në Kamenovë, atje ku Rilindja e ndërmarrjet tjera kishin disa villa të cilat shfrytëzoheshin nga punëtorët e tyre për pushime.

Në fund Paulinin dhe Lulen i pyes nëse do të botojnë diçka tjetër, dorëshkrimet e lëna të Antonit të pabotuara kurrë.

Paulini e ka zbuluar një roman të pabotuar.

Është “Tri hije në Bruksel” me të cilin Anton Pashku do të merrte pjesë në një konkurs në vitin 1994. Shkaku i një eksperience të tmerrshme me një njeri që keqpërdori të drejtat e autorit, Lulja e Paulini nuk flasin shumë kur rastis kjo temë.

Edhe Lulja, edhe Paulini, shkruajnë por kanë hezitim t’i ndajnë shkrimet e tyre me të tjerët. Një Anton është brenda të dyve, te Lulja më shumë në formë të ditarit që ajo e shkruan vetë ndërsa tek Paulini në formën e një lexuesi të letërsisë ushtarake.

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së ). 

Asnjë koment

Comments are closed.