16-06-2025

LVV-ja në Prizren mirëpret hetimet për keqpërdorime në ndërtim, kërkon hetime edhe ndaj kryetarit Totaj dhe zyrtarëve tjerë

Lëvizja VETËVENDOSJE!, Qendra në Prizren, ka reaguar sot lidhur me hetimet që kanë nisur ndaj shkeljeve ligjore dhe keqpërdorimeve në sektorin e ndërtimit në Komunën e Prizrenit. Në fokus të hetimeve është një objekt ndërtimi në pronësi të vëllait të Nehat Elshanit, shef i kabinetit të kryetarit të Komunës, z. Shaqir Totaj.

VV njofton se këshilltarët e saj komunalë kanë dorëzuar më herët kallëzime penale për këtë rast, të cilat janë bazuar edhe në investigimet e publikuara në emisionin “Betimi për Drejtësi”. Fillimi i hetimeve nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, sipas VV-së, është dëshmi e seriozitetit të veprimit të tyre institucional në luftën kundër korrupsionit.

“Presioni që ushtrohet ndaj zyrtarëve të urbanizmit nga kryetari Totaj dhe shefi i tij i kabinetit është shqetësues. Kjo bëhet me qëllim që të merren vendime të kundërligjshme që favorizojnë familjarë dhe të afërm të tyre”, thuhet në reagimin e VV-së.

Lëvizja kërkon nga organet e hetuesisë që hetimet të mos mbesin vetëm në rastin e një objekti, por të zgjerojnë fokusin edhe ndaj veprimeve të dyshuara të vetë z. Totaj dhe z. Elshani, për veprat e mundshme penale si ushtrim ndikimi dhe presion ndaj zyrtarëve publikë.

“Rastet e zbuluara nga emisioni investigativ janë vetëm maja e ajsbergut. Ndërtimi i paligjshëm në qytetin tonë po kthehet në një sistem të institucionalizuar keqpërdorimi, ku ligji injorohet dhe interesi publik dëmtohet rëndë”, thuhet më tej në deklaratë.

Lexo më shumë  Lëvizja VETËVENDOSJE! zyrtarizon Ramiz Rrustën si kandidat për Klinën

VV shpreh shqetësimin për degradimin urban që po i ndodh Prizrenit, duke e akuzuar qeverisjen aktuale të drejtuar nga PDK për braktisje të premtimeve elektorale, thellim të nepotizmit dhe përdorim politik të institucioneve.

“Vetëm një hetim i gjithanshëm dhe i pavarur, ku askush nuk qëndron mbi ligjin, mund të ndalë shndërrimin e Prizrenit në një xhungël urbanistike dhe të rikthejë besimin në drejtësi”, përfundon reagimi i Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Lexo edhe:

“Shtëpia e Bardhë” në Prizren – a po mbulohet nga të zezat e qeverisjes Totaj?!

 

Asnjë koment

Comments are closed.