LVV-ja s’ia ofron LDK-së asnjë ministri si kundërpeshë për postin e kryeministrit
Prandaj, nuk do të kalkulojë me këtë post, kur në rend dite të vihet ndarja e pushtetit me Lidhjen Demokratike (LDK), të cilën parti e sheh partner në qeverisje.Besnik Bislimi, nënkryetar i LVV-së, ka treguar pse do të refuzohet çfarëdo negociate që lidhet me kundërvlerën për pozitën e të parit të ekzekutivit, shkruan sot Koha Ditore.“Posti i kryeministrit në asnjë rrethanë nuk është pjesë e diskutimeve. Ky post nuk negociohet meqë është përcaktuar me votë”, i ka thënë gazetës Bislimi. “Rrjedhimisht as mund të tregtohet e as balancohet me diçka tjetër”.
Mbështetur në rezultatet përfundimtare të publikuara të enjten nga KQZ-ja, LVV-ja ka siguruar 26.15 për qind të votave, e pasuar nga LDK-ja me 24.45 për qind. Kjo përqindje, të parës ia siguron 32 deputetë, e të dytës 29. Kësisoj, subjektet në mandatin që ndodhet në përmbyllje ishin në opozitë, tani bashkërisht kanë siguruar shumicën prej 120 ulëseve sa i ka Kuvendi.
Edhe për kah numri i votave që kanë siguruar kandidatët për deputetë që ishin të nominuar për kryeministër, prin ai i LVV-së. Albin Kurti ka marrë gjithsej 183.868 vota, ndërsa e nominuara e LDK-së, Vjosa Osmani, 176.188 vota.Imer Mushkolaj është publicist dhe thotë se, duke qenë se posti i kryeministrit është më i rëndësishmi në Qeveri, ai shton apetitet e partisë së dytë për të kërkuar më shumë hise. Por, konsideron se, si kundërvlerë për të nuk duhen parë pozitat ministrore.