Prizreni, me trashëgiminë e tij të pasur historike e kulturore, si dhe me mikpritjen që e karakterizon, është një ndër qytetet më të bukura dhe më të vizituara në Ballkan, përcjell Gazeta e Prizrenit.
Një nga zonat më të frekuentuara nga vizitorët që është Shatërvani – zemra e gjallë e qytetit, ofron një atmosferë unike me kafene, restorante, objekte historike, bregun e Lumebardhit dhe sheshe tërheqëse për banorë dhe turistë.
Por, përballë këtij imazhi të ndritur, po shfaqet një realitet shqetësues: prania gjithnjë e më e madhe e lypësve në rrugë dhe në hapësira publike.
Oda e Ndërmarrësve dhe Zejtarëve kërkon ndërhyrje urgjente nga institucionet për të ndalur përhapjen e lypjes në zonat turistike si Shatërvani, Bazhdarhanja dhe qendrat tregtare.
Afrim Tejeci, kryetar i saj, shprehet se kohët e fundit, në këtë zonë është vërejtur një shtim i ndjeshëm i numrit të lypësve, të cilët po qëndrojnë dhe lëvizin në mënyrë të organizuar në të njëjtat hapësira çdo ditë. Kjo dukuri po krijon shqetësim te qytetarët, afaristët dhe vizitorët tanë, duke ndikuar negativisht në përvojën turistike dhe në imazhin e përgjithshëm të qytetit./ Gazeta e Prizrenit /