Malisheva 20 orë pa rrymë, reagon Kryetari Kastrati
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka reaguar ashpër, pasi komuna të cilën e udhëheq ka hyrë në 20 orëshin e mungesës së energjisë elektrike.
Sipas tij, kjo është goditja më e rëndë e mundshme, sidomos në sezonën e dimrit.
Ai i ka bërë thirrje kryeministrit Kurti, ministres Rizvanolli dhe KEDS-it, që të marrin masa urgjente.
“Mos na diskriminoni, por veproni sepse qytetarët e Malishevës, nuk e durojnë poshtërimin që po ua bëni!” shkroi ndër të tjerash Kastrati.
Ky është postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë, e nderuar mërgatë, biznese të respektuara,
Është viti i dytë më radhë që pikërisht në sezonin e dimrit, Malisheva bashkë me qytetarët e saj, mërgimtarët dhe bizneset, marrin goditjen më të rëndë të mundshme, atë të mungesës së energjisë elektrike, për më shumë se 20 orë pa rrymë.
I bëj thirrje kryeministrit Kurti, ministres Rizvanolli, KOSTT-it/KEDS-it, që të marrin masa urgjente, që Malisheva të furnizohet me energji elektrike, në mënyrë të barabartë si çdo komunë e Kosovës.
Mos na diskriminoni, por veproni sepse qytetarët e Malishevës, nuk e durojnë poshtërimin që po ua bëni!