24-11-2024

Malishevë: Dënohet me burg ish-drejtori i shkollës për rastin ku punëtori humbi jetën në vendin e punës

Ish-drejtorin e Shkollës Fillore të Mesme të Ultë “Ibrahim Mazreku” në Malishevë, Januz Mazreku, është dënuar me një vit e tre muaj burgim pasi ndaj tij ka përfunduar shqyrtimi gjyqësor për rastin ku punëtori teknik humbi jetën në vendin e punës.

Ngjarja kishte ndodhur më 5 dhjetor të vitit 2014, ku i ndjeri Z.H, kishte shkuar për ta ndezur ngrohtoren e shkollës, bombola e gazit kishte eksploduar, me çka edhe ishte rrënuar i tërë objekti dhe në këtë rast ai nga lëndimet e marra kishte ndërruar jetë.

Sipas aktgjykimit, të shpallur nga gjyqtari Njazi Morina, i akuzuari Mazreku është shpallur fajtor për veprën penale asgjësimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës, nga neni 367, paragraf 7, lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal të Kosovës dhe është gjykuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e 3 muaj.

Lexo edhe:

Në arsimin prizrenas kërkohet intervenim urgjent

I akuzuari Mazreku është obliguar edhe me shpenzimet e procedurës dhe atë, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor 50 euro, 135 euro në emër të shpenzimeve të procedurës, si dhe 30 euro për kompensimin e viktimave të krimit.

Ndërsa pala e dëmtuar, bashkëshortja e të ndjerit Z.H, Bahrije Hoti, është udhëzuar në kontest të rregullt civil.

Ndryshe seanca fillestare lidhur me këtë rast ishte mbajtur më 3 maj të vitit 2019, ku i akuzuari Mazreku ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale me të cilën ngarkohet, ndërsa shqyrtimi gjyqësor për këtë rast ka përfunduar më 31 janar 2022.

Sipas aktakuzës, duke mos u kujdesur për sigurinë e punëtorëve, i akuzuari nuk ka siguruar pajisjet mbrojtëse dhe nuk i ka mirëmbajtur në gjendje të rregullt për përdorim të nevojshëm në punë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Mazreku, ka rrezikuar jetën e punëtorit të tij, dhe në vendin ku gjendej kaldaja, e cila shërbente për ngrohtoren e shkollës fillore “Ibrahim Mazreku”, në Malishevë, tani i ndjeri Z.H, i cili më 5 dhjetor 2014, kishte shkuar për ta ndezur ngrohtoren e shkollës, bombola e gazit kishte eksploduar, me çka edhe ishte rrënuar i tërë objekti dhe në këtë rast ai nga lëndimet e marra kishte ndërruar jetë.

Me këtë, Mazreku ngarkohet se ka kryer veprën penale “Asgjësimi apo heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, nga neni 367, paragraf 7, lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me burgim prej një deri në tetë vjet /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës prerë

Asnjë koment

Comments are closed.