25-11-2024

Malishevë: I akuzuari e pranon fajësinë, thotë se veprën e ka kryer pasi që kontesti pronësor nuk po zgjidhet në civile

I akuzuari për ngacmim, Nazif Begaj, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të martën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e ka pranuar fajësinë për veprën që i vihet në barrë.

Pasi që me kërkesën e të akuzuarit, aktakuza është konsideruar e lexuar, i njëjti ka deklaruar se e ndien veten fajtor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“ E pranojë fajësinë, unë kurrë nuk kam rrah askënd, por gabimi është në civile, atje  nuk po zgjidhen lëndët, qe dhjetë vjet e kemi rastin në civile me të dëmtuarin”, tha i akuzuari Begaj.

Gjithashtu i akuzuari, ka kërkuar nga gjykata që gjatë shqiptimit të dënimit ta marrë një dënim sa më të butë.

Ndërsa, përfaqësuesja e të dëmtuarit Bashkim Begaj, avokatja Bahrije Xhyliqi, ka deklaruar se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë.

Pranimi i fajësisë nuk është kundërshtuar as nga prokurori Armend Zenelaj, sipas të cilit një veprim i tillë ka mbështetje në provat e lëndës dhe është bërë në mënyrë vullnetare.

Gjykatësi i çështjes, Njazi Morina, e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 05 shkurt 2021, në ora 15:30.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 25 shkurt 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Nazif Begajt, me arsyetimin se ai më 12 dhjetor 2018, pas disa mosmarrëveshjeve rreth një shitblerje të një prone, vazhdimisht e provokon me fjalë të dëmtuarin Bashkim Begaj.

Bazuar në aktakuzë, i akuzuari me qëllimtë ngacmimit, frikësimit dhe lëndimit, shkon tek prona kontestuese, i shkon te dëmtuarit në vendin e punës, dhe me këto veprime i akuzuari tek i dëmtuari ka shkaktuar shqetësim të madh dhe frikë të arsyeshme.

Me këtë, i njëjti akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “ngacmimi”, nga neni 186 paragrafi 1, lidhur me nenin 81, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.