Malishevë: I akuzuari se kundërshton aktakuzën për lëndim të lehtë trupor
Istref Mazreku, i akuzuar për lëndim të lehtë trupor, në shqyrtimin e dytë të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, nuk e ka kundërshtuar aktakuzën e ngritur ndaj tij.
Mazreku në mungesë të mbrojtësit të tij, avokatit Haxhi Millaku, tha se edhe një herë deklarohet i pafajshëm për veprën e cila i vihet në barrë, dhe se aktualisht nuk ka ndonjë kundërshtim, por lidhur me akuzën ai tha se do të mbrohet në shqyrtim gjyqësor.
Madje, ai propozoi që gjatë shqyrtimit gjyqësor të ftohen të dëmtuarit dhe dëshmitari i rastit që e vërteta të dihet plotësisht dhe se kush është sulmuar atë ditë.
Gjykatësi i rastit Njazi Morina, deklaroi se gjykatës deri më tani nuk i është dorëzuar kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim e provave nga ana e të akuzuarit dhe mbrojtësit të tij, avokatit Haxhi Millaku.
Meqenëse, nuk ka kundërshtime për akuzën dhe për provat në shkresat e lëndës, prokurori Bajram Kryeziu, i propozoi gjykatës që në seancën e radhës të vazhdohet me shqyrtimin gjyqësor.
Me vendim të gjykatësit Morina, seanca e shqyrtimit gjyqësor u caktua të mbahet më 5 prill 2019, në ora 9:30, ku me ftesë të rregullt do të ftohen të dëmtuarit Hana Zogaj dhe Besnik Mazreku edhe dëshmitari i propozuar nga prokuroria Alush Foniqi.
Sipas aktakuzës së ngritur më 14 dhjetor 2016, nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, Istref Mazreku po akuzohet se më 9 qershor 2016 në Malishevë, i shkaktojnë lëndime të lehta trupore të dëmtuarve Hana Zogaj dhe Besnik Mazreku.
Bazuar në aktakuzë, i akuzuari Mazreku kishte mosmarrëveshje më të dëmtuarit për një kontest pronësor, e cila edhe më herët ishte kontestuese, me ç‘ rast të dëmtuarit kishin filluar punimet në pronën e tyre kontestuese, me të vërejtur i akuzuari, afrohet afër vendpunishtes dhe i sulmon fizikisht të dëmtuarit, duke i goditur me grushte në kokë, dhe pjesë të ndryshme të trupit.
Me këtë, i akuzuari Istref Mazreku, po akuzohet se ka kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” të paraparë me nenin 188, paragraf 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi