Malishevë: Përurohet aneksi i gjimnazit ‘Hamdi Berisha’
Në ceremoninë e përurimit të këtij aneksi, ishte i pranishëm edhe kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, zëvendësministri i Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Rexhep Mazreku, drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë komunale.
Me këtë rast, Begaj ka thënë se janë të përkushtuar që të krijojnë kushte sa më të mira për nxënësit. “Unë jam jashtëzakonisht i kënaqur sot, pasi nuk po e përurojmë një aneks, por një shkollë re, pasi ky objekt i ka 14 klasa. Ne jemi të përkushtuar që të krijojmë kushte sa më të mira për arsim dhe këtë po e dëshmojmë me punën që jemi duke bërë, me ndërtimin e 15 shkollave. Juve profesor e menaxhment i shkollës, ju lus që të punoni sa më shumë. Urime nxënës, urime profesor, e gëzofshi”, ka thënë Begaj.
Ndërsa drejtori i Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, Izet Hoti, e ka falënderuar këtë komunë për këtë investim domethënës për nevojat e gjimnazit, si dhe i ka uruar edhe nxënësit dhe profesorët, pasi tani e kanë hapësirën e mjaftueshme për mësimdhënie dhe mësimxënie.
Ky aneks, krahas hapësirës për kabinete, i ka edhe 14 dhoma mësimi, ndërsa ndërtimi i aneksit, është mundësuar nga buxheti i Komunës së Malishevës.