28-11-2024

Malishevë: Pranojnë fajësinë se sulmuan zyrtarët policorë gjatë kryerjes së detyrës, kërkojnë falje publike

Të akuzuarit, për sulm ndaj personit zyrtar, Rahim, Edonit, dhe Bekim Krasniqi, në shqyrtimin fillestar të mbajtur të premten, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, e kanë pranuar fajësinë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Anton Hasanaj, të akuzuarit Krasniqi pranuan veprën penale që iu vihet në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Të akuzuarit, Krasniqi, kanë deklaruar se e ndiejnë vetën fajtorë për veprën penale me të cilën ngarkohen, duke kërkuar falje publikisht zyrtarëve policorë, dhe duke premtuar që në të ardhmen nuk do të kryejnë më vepër penale.

Prokurori Hasanaj, ka thënë se nuk e kundërshton pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve, pasi sipas tij, një akt i tillë ka mbështetje në provat materiale në shkresat e lëndës, duke i propozuar gjykatës  që të akuzuarve të iu shqipton nga një dënim meritor konform ligjit duke pasur parasysh rrethanat lehtësuese dhe rënduese.

Më pas gjykatësi Njazi Morina, me aktvendim e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve dhe shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 16 shkurt  2022.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 1 tetor 2021, ka ngritur aktakuzë kundër Rahim, Edonit, dhe Bekim Krasniqi, me arsyetimin se të njëjtit, kanë kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”.

Me këto veprime, i akuzuari Rahim Krasniqi, akuzohen se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”, nga neni 402, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë  muaj deri në pesë vjet.

Ndërsa sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, në kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë i akuzuari Edonit Krasniqi kanos seriozisht se do t’i sulmoj personat zyrtarë Gëzim Krasniqi, Fazli Zylfaj dhe Endrit Krasniqi, të cilët në ditën kritike ishin duke bërë kontroll për mbylljen e lokaleve sipas vendimit të qeverisë për masat anti Covid-19, dhe përderisa të dëmtuarit ishin duke biseduar me pronarin e lokalit për mbylljen e lokalit, i akuzuari vërsulet për t’i sulmuar fizikisht të dëmtuarit duke ju thënë “ka me ju q** nanën”, mirëpo nuk arrin pasi që pengohet nga personat e tjerë.

Me këto veprime,  i akuzuari Edonit Krasniqi, akuzohen se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”, nga neni 402, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë  muaj deri në pesë vjet.

Tutje sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, në kohë dhe vend të njëjtë si në dispozitivin e parë i akuzuari Bekim Krasniqi kanos seriozisht se do t’i sulmoj personat zyrtarë Gëzim Krasniqi, Fazli Zylfaj dhe Endrit Krasniqi, të cilët në ditën kritike ishin duke bërë kontroll për mbylljen e lokaleve sipas vendimit të qeverisë për masat anti-Covid-19, dhe përderisa të dëmtuarit ishin duke biseduar me pronarin e lokalit për mbylljen e lokalit, i akuzuari në shenjë pakënaqësie duke iu afruar të dëmtuarve me zë të lartë ju thotë fjalët “shkoni te shkiet he nannën e shkieve”, dhe vërsulet në drejtim të dëmtuarve, mirëpo nuk arrin pasi që pengohet nga personat e tjerë.

Me këto veprime, i akuzuari Bekim Krasniqi, akuzohen se ka kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar”, nga neni 402, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë  muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Asnjë koment

Comments are closed.