23-11-2024

Malishevë: Prokurori shkon pa shkresa të lëndës në seancë, shtyhet gjykimi ndaj aktivistit të “Vetëvendosjes”

Për shkak se prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Armend Zenelaj, nuk i kishte shkresat e lëndës me vete, ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore, ndaj të akuzuarit për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, Valon Hoti.

Gjykatësi i rastit, Lulzim Paçarizi, pasi hapi seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, konstatoi se në seancë prezantojnë të gjitha palët, dhe ftoi të akuzuarin që t’i merren shënimet personale, dhe më pas prokurorin Zenelaj që të lexojë aktakuzën, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas kësaj, prokurori Armend Zenelaj, deklaroi se lidhur me këtë rast nuk i ka shkresat e lëndës me vete.

Në mungesë të shkresave të lëndës nga prokuroi Zenelaj, gjyqtari Paçarizi, ka marrë vendim që kjo seancë të ndërpritet dhe të shtyhet për 23 prill 2019, në ora 9:30.

Në seancë prezent ishte edhe i dëmtuari Petrit Zogaj.

Në këtë rast për të njëjtën vepër penale akuzohej edhe Muharrem Bytyqi, por në seancën fillestare, të mbajtur më 14 qershor 2018, me aktvendim të Gjykatës Themelore në Gjakovë, dega në Malishevë, është veçuar procedura penale ndaj tij, me arsye se në bazë të verifikimit të vendndodhjes së tij, nga Stacioni Policor në Malishevë, i njëjti gjendet jashtë vendit.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të ngritur më 7 gusht 2013, Valon Hoti, po akuzohet se më 24 qershor 2013, në Kuvendin Komunal ne Malishevë, pasi që aty kishte ardhur për një vizitë ministri i shëndetësisë, Ferid Agani, ku më pastaj aktivistët e “Vetëvendosjes”, Muharrem Bytyqi dhe Valon Hoti, kishin shkuar tek Kuvendi Komunal me pankarta “Ministër je i vonuar, kujdes nga rriqrat”.

Në aktakuzë thuhet se të dy aktivistët e akuzuar i kanë penguar policët, duke i kapur për duar nga mbrapa, duke i penguar në ushtrimin e detyrës zyrtare, gjersa aktivistët e tjerë të “Vetëvendosjes”, kryenin aksionin e tyre, si shenjë sensibilizimi të sigurisë së përgjithshme të qytetarit kundër rriqrave.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit po akuzohen se kanë kryer veprën penale “pengim të personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, nga neni 409, paragraf 5, lidhur me paragraf 2, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.